Roland Gjoni:” Do të ketë betejë të ashpër për votat shqiptare, në çdo lloj skenari nuk duhet të japin vota të pakushtëzuara ndaj asnjërës parti “

Intervistë me z.Roland Gjoni, studiues i Konflikteve Etnike në University College Dublin (UCD) Intervistoi Selim Ibraimi nga Platforma Analitike (ISSDMaqedonia@CSSDMacedonia) 

 

Mendoj që Presidenti do të zgjidhet në raundin e dytë dhe do të ketë betejë të ashpër për votat shqiptare. Nuk besoj se do ketë pjesëmarrje shumë të lartë dhe mundet që prej mosarritjes së pragut për vlershmërinë e raundit të dytë, të hapet procesi parlamentar. Mendoj është në interesin e LSDM-së dhe VMRO-së që t’i përdorin votat e shqiptarëve për të ruajtur unitaritetin e shtetit, dhe duket qartë nga mosrespektimi i gjuhës shqipe dhe aversioni ndaj identitetit shqiptar. Shqiptarët në çdo lloj skenari nuk duhet të japin vota të pakushtëzuara ndaj asnjërës parti por të kërkojnë kompromise në lidhje me statusin e tyre drejt barazisë së plotë kushtetuese. Idetë se po ndërtohet shtet qytetar ,janë propagandë maqedonase për ruajtjen e dominimit në shtet. Fakti që BDI mbeshteti Pendarovksin mund ta ketë diskretituar më tutje BDI-në por BDI në fakt ka shënuar rënie edhe para këtyre zgjedhjeve. BDI i ka meritat e veta të pamohueshme në periudhën 2001-2011 por pas dekadës së parë, ajo me shumë ekziston si makineri përfitimi dhe punësimi e jo si parti politike me profil kombëtar.

###

 

ISSD:z.Gjoni, si i komentoni rezultatet zgjedhore që dolën nga presidencialet në Maqedoninë Veriore?

Roland Gjoni: Është pak e veshtirë të kuptohen mesazhet, sepse zgjedhjet presidenciale nuk janë barometer i saktë për gjendjen e vendit. Megjithatë rezultatet japin disa mesazhe të përafërta. E para, pjesëmarrja e ulët sidomos në vendbanimet shqiptare tregoi nivelin e lartë të zhgënjimit të votuesit shqiptar me zhvillimet në Maqedoni e sidomos me rolin e partive shqiptare në qeverinë e kryesuar nga Zaevi. E dyta, rezultati jo fort i kënaqshëm i kandidatit të koalicionit qeverisës tregon se ka zhgënjim me qeverinë. Është vërejtur edhe në rastin e referenduimit për emrin që ky koalicion mbahet në këmbë kryesisht nga përkrahja ndërkombëtare dhe nga makinacionet e suksesshme të Zaevit në marrëdhëniet me Greqinë dhe Bullgarinë, por nuk ka suksese në qeverisje. E treta, mund të themi që brenda kampit shqiptar shihet se ka zhvendosje të mbështetjes drejt partive opozitare. Fakti që BDI mbeshteti Pendarovksin mund ta ketë diskretituar më tutje BDI-në por BDI në fakt ka shënuar rënie edhe para këtyre zgjedhjeve. BDI i ka meritat e veta të pamohueshme në periudhën 2001-2011 por pas dekadës së parë, ajo më shumë ekziston si makineri përfitimi dhe punësimi e jo si parti politike me profil kombëtar.Në fakt, BDI më shumë vazhdon të mbetet në skenë sepse i duhet LSDM-së dhe VMRO-së si shtojcë në qeveritë e tyre por si parti e ka humbur busullën dhe nuk ka ide të reja.Edhe pse është parti e parë tek shqiptarët me rreth 80 mijë vota, një pjesë e mirë e tyre i siguron si rrjedhojë e rrjetit klientelist të ndërtuar në nivelin lokal dhe qendror në gati dy dekada qeverisje. Së katërti, mund të themi që opozita shqiptare edhe se nuk arriti të motivonte sa duhet votuesit shqiptar, ia doli të bëjë diferencën me një kandidat të përgatitur,të aftë dhe me një fushatë moderne dhe konstruktive. Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Besa pritet më shumë në këtë drejtim sepse pa hapje dhe gjithëpërfshirje është vështirë të largohet BDI-ja, për arsyet që i cekëm më lart. Pak a shumë këto janë mesazhet që dha ky raund i parë.

 

ISSD:z.Gjoni, kandidatët maqedonas Pendarovski dhe Silajnovska janë në garë të ngushtë, cili do të jetë sipas jush roli i partive shqiptare dhe a mund të përmbyset ky raport në favor të shqiptarëve që presidenti të zgjidhet në Parlament?

Roland Gjoni: Po, roli i shqiptarëve si në të gjitha proceset në Maqedoni është vendimtar.Mendoj që Presidenti do të zgjidhet në raundin e dytë dhe do të ketë betejë të ashpër për votat shqiptare.Nuk besoj se do ketë pjesëmarrje shumë të lartë por edhe mundet që prej mosarritjes së pragut për vlershmërinë e raundit të dytë, të hapet procesi parlamentar. Mendoj është në interesin e LSDM-së dhe VMRO-së që t’i përdorin votat e shqiptarëve për të ruajtur unitaritetin e shtetit, dhe kjo duket qartë nga mosrespektimi i gjuhës shqipe dhe aversionit ndaj identitetit shqiptar nga pjesa dërrmuese e maqedonasve, dhe po shihet se nuk janë për barazi kushtetuese, por tentojnë të vazhdojnë dominimin ndaj faktorit shqiptar.

Studiuesi Roland Gjoni në një seancë dëgjimore për Ballkanin në Kongresin Amerikan

 

ISSD:z.Gjoni, kandidati shqiptar z.Blerim Reka morri një numër të konsiderueshëm votash me çka z.Reka e ka vendosur në një potez të favorshëm përballë qeverisë dhe partisë shqiptare në pushtet BDI. A do të mund ta kapitalizojnë shqiptarët dhe partitë opozitare këtë situatë?

Roland Gjoni: Roli i z.Reka ishte emancipues. Edhe pse nuk eshte i ri në skenën publike dhe politike, ai ishte dukshem kandidat më i përgatitur që do t’i bënte nder Maqedonisë dhe çdo shteti tjeter në rajon në detyrën e presidentit. Në këtë kuptim, Reka mund të shërbejë edhe si model për kyçjen e njerëzve të aftë në politkë që do të ngjallnin besim tek shqiptarët. Shqiptarët në çdo lloj skenari nuk duhet të japin vota të pakushtëzuara ndaj asnjërës parti, por të kërkojnë kompromise në lidhje me statusin e tyre drejt barazisë së plotë kushtetuese.Idetë se po ndërtohet shtet qytetar, janë propagandë maqedonase për ruajtjen e dominimit në shtet. Shqiptarët duhet t’i japin fund rolit të zjarrfikësit ose kurbanit të stabilitetit në Maqedoni dhe të ndjekin interesat e tyre. 

ISSD:z.Gjoni, jehona e votuesëve ishte e ultë në të gjithë Maqedoninë Veriore por edhe tek popullata shqiptare, megjithatë z.Reka ishte në epërsi në krahasim me kandidatin qeveritar Pendarovski. Cilët faktorë sipas jush ndikuan në dinamikën zgjedhore?

Roland Gjoni:E përmenda më lartë që shqiptarët janë të zhgënjyer me pozitën e tyre dhe me qeverisjen në përgjithësi.Ata që kanë dalë, kanë votuar z. Reka, sepse nuk janë dakord me politikën që ndjek BDI-ja por edhe për faktin se Reka ishte dukshëm më i mirë se dy kandidatët e tjerë pavarësisht etnisë shqiptare

ISSD:z.Gjoni, çka më tutje dhe a keni ndonjë parashikim se nga do të shkojnë proceset në MV?

Roland Gjoni: Me sa shihet  vendi vazhdon të jetë i ndarë në dy drejtime. Brenda kampeve etnike ka ndarje të madhe mes opozitës dhe pushtetit, ndërsa në rrafshin ndëretnik ka tension, por për momentin po mbulohet nga mundësia e pranimit në NATO dhe hapja e negociatave me BE-në në qershor. Megjithatë besoj se pika e dobët e qeverisë së Zaevit mbetet cilësia e dobët e qeverisjes dhe intrigat e shumta në sistemin e drejtësisë.Kryesisht po vazhdon me inerci për shkak të disa sukseseve të ministrit të jashtëm Nikola Dimitrov në arenën ndërkombëtare por ato nuk çojnë peshë në popull .Besoj se nëse nuk do të ketë ritëm të shtuar, qeveria do të shkojë drejt dështimit. Ndërsa në kampin shqiptar, ka nevojë që të hapen procese të reja.Shqiptarët në Maqedoni janë shtylla e shtetit por fuqia e tyre nuk reflektohet sa duhet në institucione dhe në identitetin e shtetit për shkak të frikës së maqedonasve prej dobësimit të unitaritetit të shtetit dhe faktit që BDI prej kohësh nuk përfaqëson drejt faktorin shqiptar. BDI-ja ka treguar që nuk arrin dot të dalë mbi kornizën e Marrëveshjes së Ohrit ku shqiptarët konsiderohen pakicë periferike me të drejta të kufizuara në nivelin qëndor dhe lokal. Ndërkohë, që shqiptarët kanë avancuar dukshëm dhe nuk pranojnë që të konsiderohen si përqindje por si popull shtetformues. Është mirë edhe për BDI-në që të përgatitet për opozitë,rivitalizojë strukturat dhe të ri-konceptojë rolin e saj. Ndërkohë, partitë opozitare në vend që të vrapojnë për të zëvendësuar BDI-në,duhet të shpenzojnë më shumë energji në motivimin e të rinjve dhe në hapjen e debatit nacional mbi rolin e shqiptareve në shtet.

 

Roland Gjoni: “BDI prej kohësh nuk përfaqëson drejt faktorin shqiptar. BDI-ja ka treguar që nuk arrin dot të dalë mbi kornizën e Marrëveshjes së Ohrit ku shqiptarët konsiderohen pakicë periferike me të drejta të kufizuara në nivelin qëndor dhe lokal. Ndërkohë, që shqiptarët kanë avancuar dukshëm dhe nuk pranojnë që të konsiderohen si përqindje por si popull shtetformues .Është mirë edhe për BDI-në që të përgatitet për opozitë, rivitalizojë strukturat dhe të ri-konceptojë rolin e saj. Ndërkohë, partitë opozitare në vend që të vrapojnë për të zëvendësuar BDI-në,duhet të shpenzojnë më shumë energji në motivimin e të rinjve dhe në hapjen e debatit nacional mbi rolin e shqiptareve në shtet”.
  

 

 

Shënim: Ndalohet përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre. Bordi redaksional i ISSDMaqedonia rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik, gjinor dhe social. Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social, ndëretnik, ekonomik, politik dhe të sigurisë në interes të qytetarëve. Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Pikëpamjet e autorëve dhe të ekspertëve të jashtëm jo gjithëherë pasqyrojnë linjën dhe politikën redaksionale të ISSDMaqedonia

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

* Copy This Password *

* Type Or Paste Password Here *