Bekteshi:”Nëse Maqedonia synon të bëhet shtet modern me emër të ri, anëtare e NATO-s dhe BE-së, ajo, aty duhet të hy me një kushtetutë të re…”

Intervistë me z.Ramazan Bekteshi, pjesëmarrës aktiv në disa misione të rëndësishme ushtarake dhe paqësore amerikane në Ballkan dhe personalitet me ndikim në administratat amerikane.Intervistoi Selim Ibraimi nga Platforma Analitike (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)

###

Unë jam një optimist i brengosur dhe nëse nuk ndërrohet kushtetuta dhe nëse shqiptarët nuk janë të barabartë në këtë shtet, nëse atyre vazhdon t’ju mohohet e drejta për punë, dhe nëse të zgjedhurit e tyre vazhdojnë të heshtin dhe të mos jenë zëri i votuesve në parlament e institucione, kobi i heshtur i ikjes nga vendlindja përshkak halleve do të triumfojë mbi dëshirën e tyre për jetë në vendlindje. Kosova s’është shtet pa Ujmanin, Trepçën, dhe kufirin ekzistues. Kosova duhet të këmbëngul në rendin kushtetues të saj, sovranitetin dhe tërsinë territoriale. Për shumëçka nuk duhet vetëm të fajsojmë maqedonët por edhe faktorin shqiptar që pothuajse është dekorativ apo inekzistent kur vendoset për punë të mëdha. Statusi juridik i shqiptarëve me këtë kushtetutë arkaike, është diskriminues.

####

ISSD:z.Bekteshi, para disa ditëve ndërroi jetë ish- presidenti amerikan George H.W.Bush një mik mik i madh i shqiptarëve në Ballkan dhe një ndër kreatorët e politikës së re amerikane në rajon. Si veprimtar i hershëm i çështjes shqiptare dhe pjesëmarrës në disa misione të rëndësishme amerikane në Ballkan, si e vlerësoni ju rolin e tij rreth çështjes së Kosovës në fillim të viteve të 90’ta?

Ramazan Bekteshi:Kalimi në amshim i presidentit të 41 të Amerikës George H.W. Bush është një humbje e madhe për Amerikën, Kosovën, Shqipërinë dhe civilizimin botëror. Asnjë president amerikan nuk ka qenë i ngarkuar me aq pozita të rëndësishme shtetërore sa presidenti HË Bush. Ai bashkë me presidentin Reagan ishin arqitektët e renies së komunizmit, kolapsit sovjetik, shembjes së Murit të Berlinit dhe bashkimit të Gjermanisë. Roli i tij në Ballkan ka bërë një kthesë progresive në krahasim me paraardhesit e tij që e kishin lazdëruar Jugosllavinë. Ai pos vërejtjes së Kërshëndellave më 25 dhjetor 1992 dhe pas humbjës së mandatit vazhdoi të punojë për Shqipërinë dhe Kosovën me qarqet që kishte ndikim dhe kjo u pa në vitet e mëvonshme.Ishte një fatkeqesi për shqiptaret se gjatë mandatit të Bushit nën-Sekretar Shteti ishte një mik i Serbisë, Lawrence Eagleburger që me veprimet e tij u mundua të këtë ndikim të disfavorshëm për çështjen e Kosovës. Ai gjatë viteve 1977/81 kishte shërbyer në Beograd si ambasador dhe gjatë 1989/92 si nën-Sekretar i Shtetit dhe 92/93 si Sekretar Shteti, por megjithatë Bushi në fund te mandatit të tij e tejkaloi edhe këtë pengesë dhe vendosi një standard të ri per Ballkanin me paralajmerimin e vërejtjes së Kërshëndellave. Pra ishte James Baker, Sekretar Shteti një mik  afërt i presidentit qe veçse kishte krijuar miqësi me shqiptarët dhe Shqipërinë, ishte ai qe i anashkalonte sygjerimet e Eagleberger-it gjoja si njohës i rajonit. As ardhja e Warren Christopher si Sekretar Shteti në administraten e Clinton-it nuk do t’a përshpejtonte situatën në favor të Kosovës pasi ai kishte plane tjera prioritare si zgjerimi i NATO-s, konflikti izraelo-palestinez, dhe Marreveshtja e Dayton-it. Ai luajti një rol të frenimit dhe mosshkallëzimit të konfliktit. Zëvendësimi i Christopher-it nga Medeleine Albright solli një fazë të re në politikën amerikane për Ballkanin ku ajo i dha një prioritet ndaljes së dhunës dhe gjunjëzimit të politikës vrastare të Millosheviqit dhe zgjerimit të hegjemonizmit serb gjatë mandatit të presidentit Clinton. Por kur duhej të finalizohej pavarësia e Kosovës, aty sërish u shfaqën babë e bir, Bushi në mënyrë të tërthortë dhe biri si president dhe Komandant Suprem që veproi me vendosmëri duke i anashkaluar kritikët.

ISSD:z.Bektetshi, si e komentoni ju debatin-idenë në lidhje me korrigjimin e kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë e nisur nga presidenti Hashim Thaçi dhe ai serb Aleksandër Vuçiç?

Ramazan Bekteshi:Nga pikëpamja ime ky është një presedan i rrezikshëm dhe i pamenduar mirë. Së pari, presidenti Thaçi këtë e bënë kokë në vete, pa e konsultuar as spektrin e gjerë politik e as parlamentin. Siç dihet, ai ka pikëapamje diametralisht të kundërta me Kryeministrin dhe shumicën e popullit të Kosovës. E dyta, ai nuk është i barabartë në dialog me Serbinë, dhe e tillë do të jetë pozita e Kosovës derisa nuk fitohet anëtarësimi në OKB dhe njohje nga vendet e mbetura të BE-së e më shumë. E treta, anashkalimi i Pakos së Ahtisarit është një devalvim i pavarësisë së Kosovës, është një përbuzje e GJND-së dhe fushatës ajrore 78 ditëshe, është një presedan për Republikën Serbe që me gjenocid të krijoj shtet, dhe hapje e një rruge me shumë të papritura kur përballesh me një armik shekullor me instinkt sundues dhe me urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve. Merrni me mend, serbët janë në gjendje të shkaktojnë incident ndërkombëtar vetëm pse se shqiptarët me dy duar paqësore simbolizojnë shqiponjën, simbolin e tyre kombëtar e lere më të shënosh vija kufitare. Kosova doli humbëse me demarkacionin me Maqedoninë dhe Malin e Zi, me dy shtete të brishta, e lere më çfare pune mund t’i dalë me Serbinë. Serbia është humbëse e luftës, shkaktare e tragjedive ballkanike, dhe asaj i duhet njohja reciproke poaq sa Kosovës, nëse ajo deshiron të hy në BE. Ata shtete që e krijuan dhe e njohën Kosovën kanë dhe alternativë si t’a anëtarsojnë në OKB e që ka më shumë se një rrugë. Këmbengulja e Thaçit për njohje nga Serbia dhe anëtarësim në OKB në dëm të integritetit territorial është një avanturë me pasoja të papara.

Kosova s’është shtet pa Ujmanin, Trepçën, dhe kufirin ekzistues. Kosova duhet të këmbëngul në rendin kushtetues të saj, sovranitetin dhe tërsinë territoriale.

ISSD: z.Bekteshi, cili është mendimi juaj për statusin juridik të shqiptarëve në Maqedoni kur dihet se Ligji për gjuhët ende nuk po publikohet në Gazetën Zyrtare dhe Marrëveshja e Prespës në Kolonën e shtetësisë të gjitha etnitë i kategorizon si Maqedonas. Sipas jush a ka pasur rol kyç faktori shqiptar në qeveri gjatë këtij procesi?

Ramazan Bekteshi: 

Nëse Maqedonia synon të bëhet shtet modern me emër të ri, anëtare e NATO-s dhe BE-së, ajo, aty duhet të hy me një kushtetutë të re. Arrnimi i kushtetutës me ligje të vjetra apo neokomuniste, e disa tendencioze dhe diskriminuese nuk mund të tolerohen. Pastrimi i kushtetutës nga sindromi antishqiptar duhet të bëhet në mënyre laserike nëse Maqedonia i do shqiptarët etnik që të jetojnë si shtetformues në vendin e tyre si të barabartë me maqedonët.

Përderisa nuk do të jetë kështu, shqiptarët do të shohin alternativa të reja paqësore, gjithmonë në shërbim të lirive të tyre, e që në këtë shtet gjithmonë kanë qenë të pakta e të ndrydhura. Nëse gjuha shqipe nuk do të jetë e barabarte me maqedonishten s’besoj se do të ketë qetësi qytetare në vend.Andaj, kryeministri Zaev në vend se të shëndrroj “dhëmbët e tij nga të lepurit në dhëmbë luani për t’i ngrënë ‘qingjat’ e dëgjueshëm shqiptar”, ai duhet të krijojë një kushtetutë të re, për një shtet të ri, për një jetë të re dhe perespektivë të barabartë për të gjithë qytetarët. Statusi juridik i shqiptarëve me këtë kushtetutë arkaike, është diskriminues.

Marrëveshja e Prespës ka qenë një nxitim për të realizuar aspiratat greko-maqedone duke i shkelur shqiptarët me kategorizimin e etnive etj. Tash sa kohë, partitë shqiptare në pushtet s’kanë zë, janë memece përshkak të vazalitetit, paditurisë apo të dyjave bashkë. Për shumëçka nuk duhet vetëm të fajsojmë maqedonët por edhe faktorin shqiptar që pothuajse është dekorativ apo inekzistent kur vendoset për punë të mëdha. Prandaj, roli shqiptar ka qenë pasiv, dëshpërues, dhe neveritës.

ISSD: z.Bekteshi, a mendoni se opozita shqiptare duhet të unifikohet për të pasur qëndrime të përbashkëta gjatë procesit të ndryshimeve kushtetuese në Parlament dhe kuptohet të kenë një bazë të fortë elektorale?

Ramazan Bekteshi:Ka kohë që opozita shqiptare është e përçarë e kjo e dobëson pozicionin shqiptar për procese të rëndësishme duke i dhënë shanse pozitës të sundoje pa siklet. Kjo është bërë përshkak të egove të mëdha të lidereve të opozitës dhe atë, me dy RD, me dy PDSH, me dy Besa dhe ja ku jemi! Është inkurajuese afrimi i dy lidereve, Selës dhe Kasamit në disa aktivitete të përbashkëta, dhe nëse ky bashkëpunim është i sinqertë dhe jo sa për sy e faqe, këta të dy së bashku duhet të sjellin së paku edhe një parti opozitare nëse duan të bëhen faktor relevant. Opozita duhet t’a kuptojë se puna ekipore në terren është imperative e jo krekosja nëpër media e tubime me fjalë të mëdha. Dhe kur t’ia shtosh këtij hendikepi edhe mospërkrahjen e opozitës, nga pushtetet në Tiranë e Prishtinë, paaftësia dhe agonia e opozitës, shtohet derisa pushtetarët në Prishtinë, Shkup, dhe Tiranë e ruajnë rrethin e tyre vicioz duke e përkrahur njëri-tjetrin jo për principe, jo për kauza, por për sundim.

ISSD:z.Bekteshi, partia shqiptare në pushtet BDI, zyrtarë të saj në disa raste kanë thënë se shqiptarët tashmë i kanë arritur të gjitha të drejtat. A vlerësoni ju se shqiptarët e Maqedonisë janë të barabartë me maqedonasit?

Ramazan Bekteshi:Nëse ata e kanë thënë këtë frazë, kjo është gjëja me lemëritese, më dëshpruese që e kam dëgjuar ndonjëherë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. BDI duhet të ngre zërin e jo vetëm për Marrëveshjen e Ohrit të parealizuar, por përgjegjësit për implemetimin e saj duhet të sillen para drejtësisë. Duhet të japin përgjegjësi për Marrëveshjen e Prespës sepse as patën kërkesa dhe e degraduan edhe kategorizimin e etnisë dhe shtetësisë, që është e papranueshme.

BDI, duhet të kërkojë amnesti jo për ata që shkaktuan dhunë në Parlament, por për ata që qëndrojnë të pafajshëm nëpër burgjet maqedone, për ata që me skenarët e pushtetit ngritën kurthe, tashmë raste të njohura për opinionin. Pajtimi bëhet duke avansuar të drejtat dhe liritë e shqiptarëve, duke falë dhe kompenzuar të pafajshmit, duke nxjerrë para drejtësisë të implikuarit. Barabarësia për shqiptarët në këtë kohë në Maqedoni është vetëm një term i dëshiruar.

ISSD:z. Bekteshi ku i shihni shqiptarët në 10 vjeçarin e ardhshëm?

Ramzan Bekteshi:  

Unë jam një optimist i brengosur dhe nëse nuk ndërrohet kushtetuta dhe nëse shqiptarët nuk janë të barabartë në këtë shtet, nëse atyre vazhdon t’ju mohohet e drejta për punë, dhe nëse të zgjedhurit e tyre vazhdojnë të heshtin dhe të mos jenë zëri i votuesve në parlament e institucione, kobi i heshtur i ikjes nga vendlindja përshkak halleve do të triumfojë mbi dëshirën e tyre për jete në vendlindje.
Kështu si që është trendi dhe situata, pa vullnet politik për të ndalur këtë sindrom të ikjes, shumicën e komunave shqiptare i shoh të zbrazura gjeresa Kërçovën time që për momentin e kanë braktisur mbi gjysma e popullatës, dhe nëse ky trend vazhdon po me këtë ritëm dhe nuk do të ndërmerren masa preventive, pas 10 vitesh pritet të ketë vetëm 25% të popullatës së saj të përgjithshme. Maqedonia do të këtë emër të ri dhe më pak popullatë shqiptare, kryesisht të moshuar dhe ky është një lajm i keq dhe një alarm për pushtetarët e dalldisur pas lukseve, sepse pas 10 viteve s’do të kenë kënd t’a vjedhin, dhe kush të votojë për ta.Pushtetarët mund të krekosen se shqiptarët janë mbi 40% të popullsisë së përgjithshme në Maqedoni por fatkeqësisht ata s’do të jenë më aty, por diku larg nëpër botë dhe për fajin e politikanëve të papërgjegjshëm!

 

Ramazan Bekteshi:”Për shumëçka nuk duhet vetëm të fajsojmë maqedonët por edhe faktorin shqiptar që pothuajse është dekorativ apo inekzistent kur vendoset për punë të mëdha”.

###

Sfond

 

 

(Sfond fotografitë nga FB-R.B.)

 

 

Shënim: Ndalohet  përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre. Bordi redaksional i ISSDMaqedonia rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik, gjinor dhe social. Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social, ndëretnik, ekonomik, politik dhe të sigurisë në interes të qytetarëve. Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Pikëpamjet e autorëve dhe të ekspertëve të jashtëm jo gjithëherë pasqyrojnë linjën dhe politikën redaksionale të ISSDMaqedonia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

* Copy This Password *

* Type Or Paste Password Here *