Selim Ibraimi, Vjenë- Partia Besa me drejtuesit e dukshëm, para se të kalonte në taborin e plotë të partive maqedonase, qëndronte afër partive tjera opozitare dhe të një rrethi të ngushtë figurash të respektuara nga opinioni. Menjëherë pas aleancës politike me LSDM-në (ish Partia Komuniste Maqedonase), partia Besa dhe kryetari z. Bilall Kasami haruan se si arritën deri tek marrëveshja me LSDM-në. Kërkesat për mbështetje publike ishin nga të gjitha anët. Një ditë Kasami u bë gati për në qeveri dhe mori disa drejtori dhe një ministri.

Para këtij momenti, marrëveshja me LSDM-në përpiqej të arsyetohej nga Kasami si nevojë për të rrëzuar BDI-në nga pushteti. Siç dihet Kasami me të gjitha mjetet nuk mund ta lëvizë BDI-në nga pushteti në të gjitha kombinimet e mundshme. Realiteti tregoi se potezi i Kasamit ishte kryesisht për të vazhduar mbijetesën në politikë me një fuqi të zbehtë politike dhe domosdoshmërisht klanet të kënaqeshin në të gjitha mënyrat me pushtet.
Lëvizje të tilla aq të hapura nga Kasami dhe grupi i tij, me të vërtetë nuk sollën gjë tek elektorati që ata i votoi.
Pjesëmarrjen e Besës në qeveri  e shohin vetëm si dëshirë  për t’i kënaqur orekset grupore dhe jo të plotësimit të kërkesave të votuesëve. Tani, ky grup edhe mund të vazhdojë qeverisjen në pushtetet maqedonase nga një format qeveritar në tjetrin dhe këtu nuk ka asgjë të keqe, vetëm se votuesi dhe publiku do t’i përceptojë si partitë e dikurshme që drejtoheshin nga Risto Gushterov, Lubisav Ivanov Xingo ose si ish politikani  Amdi Bajram, tashmë i ndjerë.
Në fund lind pyetja se me cilin grup politikanësh djemtë e rinj të politikës dëshirojnë të identifikohen dhe të mbeten në histori dhe me çka nesër do të krenohen. Të shpresojmë se të nesërmen me siguri nuk do të ëndërrojnë për kërkesa shtesë se si të arrihet tek pushteti i të gjitha formave. Padyshim se të gjithë janë të etur për pushtet dhe autoritet, duke filluar nga Ali Ahmeti, Ziadin Sela, Menduh Thaçi, Afrim Gashi dhe të tjerët.
(21.20.2020, Vjenë, Austri)