Home / PROGRAMMES / Conflict Studies / Paraqitja e një linje të fortë në politikën e jashtme të Maqedonisë së V.

Paraqitja e një linje të fortë në politikën e jashtme të Maqedonisë së V.

NGA DR. SELIM IBRAIMI– Në çështjen maqedono-bullgare diçka nuk është në rregull, dhe atë me politikën e Maqedonisë së Veriut në veçanti me politikën e jashtme. Deklaratat e ministrit të Jashtëm Bujar Osmani janë shumë herë të ndryshme në të njëjtën ditë dhe kjo e zemëron shumë palën tjetër. Kur tani të dyja palët ia kanë dorëzuar propozimet presidencës franceze për shqyrtim, pala maqedonase dhe ministri i jashtëm Osmani për shkak të mungesës së përvojës, një ditë më herët në një paraqitje televizive së bashku me qeverinë, po provokojnë dështimin e propozimit francez.

Pasi pala bullgare dhe më pas ajo maqedonase ia kanë dorëzuar kërkesat dhe vërejtjet Parisit zyrtar, duket se në ditët në vijim ka gjasa që pala maqedonase të refuzojë propozimin kryesor dhe përfundimtar francez për marrëveshje me Bullgarinë, thonë analistët në Shkup. Megjithatë kjo është tepër rëndë për tu konfirmuar nga autoritetet në Shkup.

Në përgjithësi, pas bllokadës bullgare të vitit 2020, zyrtarët e politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut kanë treguar sjellje adoleshente, moskuptim të politikës dhe historisë rajonale thonë kritikët. Nëse propozimi përfundimtar francez nuk kalon në filtrat e Shkupit zyrtar, atëherë përgjegjëse duhet të jetë e gjithë qeveria maqedonase për mospranimin e marrëveshjes. Dhe duke hapur një qark të nxehtë në BE dhe në rajon. Më tej, nëse propozimi do të refuzohet ose shtyhet për një kohë tjetër, nesër Shkupi zyrtar nuk ka pse të fajësojë të tjerët.

Akuzat e fundit mes ish-ministrit Nikolla Dimitrov dhe ministrit aktual të Jashtëm Bujar Osmani, tregojnë për një mungesë besimi tek njëri-tjetri dikur dhe amatorizëm të madh në diplomaci. Zërat pro qeverisë i kanë ngritur në qiell këto dy figura për gjoja kapacitete të mëdha të politikës së jashtme. Megjithatë, faktet dhe akuzat e dy ish-miqve të ngushtë dhe (ish) zyrtarë, tregojnë për probleme serioze në mekanizmin e negociatave dhe të diplomacisë me fqinjët. (Ky paragraf është azhuruar në 29.6. 22)

Nga ana tjetër, BDI-ja e Ahmetit është treguar shumë e heshtur për propozimin francez. Më herët kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se çështja mund të zgjidhet. Por ajo që kemi parë këto ditë, është paraqitja dhe forcimi i vijës së fortë prej të gjitha palëve në Maqedoninë e Veriut për mos kompromis dhe vendosje të linjës së kuqe e cila po përsëritet shumë nga ministri i Jashtëm maqedonas Bujar Osmani dhe qeveria. Gjithsesi le të presim lëvizjen e Francës dhe ndoshta presioni amerikan mund të ndryshojë qëndrimet e palëve për pranimin e propozimit përfundimtar nga Parisi.

Në fund, nga gjithë këto buzëqeshje të zyrtarëve, e gjithë situata nuk mund të shkojë në ekstrem, me paraqitje të lotëve dhe pikëllim mes vendeve fqinjë. Shpresojmë se Franca po punon seriozisht për një zgjidhje të qëndrueshme.

Foto: Denesen.mk

About Admin