NUK MUND TË KONTROLLOHEN DHE SUNDOHEN SHQIPTARËT PA NDIHMËN E VEGLAVE TË PUSHTETIT

Nga Abdulla Mehmeti-
Zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut në Maqedoninë Veriore

Pse nuk ndryshon gjendja e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore për dekada me radhë?

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut shumica e qytetarëve shqiptarë shpresojnë se do të ndryshojë gjendja e tyre pas këtyre zgjedhjeve. Këta qytetarë besojnë se ka ardhur koha për ndryshime dhe kësaj radhe do të vinë në pushtet partitë “opozitare” dhe do të kalojë në opozitë partia e shqiptarëve BDI, e cila afër dy dekada ka qenë në pushtet, pjesën më të madhe të mandatit duke e djegur në bashkëqeverisje me partinë nacional-shoviniste maqedonase, OBRM-PDUKM.

Pse këto shpresa janë të zbehta dhe asgjë nuk do të ndryshojë në dobi të shqiptarëve edhe pas këtyre zgjedhjeve?

1. Sepse rrethanat historike tepër të pafavorshme për shqiptarët e mbetur jashtë shtetit të tyre kombëtar nuk kanë mundësuar krijimin e një klase të shëndetshme politike dhe intelektuale kombëtare.

2. Sepse procesi i tranzicionit demokratik, pas vitit 1990 e deri më sot, si në të gjitha shtetet e bllokut ish-socialist vazhdimisht është kontrolluar nga faktorë të jashtëm dhe nga ish-agjenturat e regjimeve komuniste në këto shtete.

3. Sepse mungesën e klasës politike dhe intelektuale me orientim kombëtare, pushtetet e periudhës së tranzicionit e kanë shfrytëzuar për ngritjen dhe mbajtjen në pushtet të një klase të kontrolluar, të shfrytëzueshme dhe të dobishme për interesat e pushtetit, jo edhe për interesat e popullit të tyre dhe zgjidhjen e problemeve të trashëguara nga e kaluara.

4. Të gjitha partitë politike të shqiptarëve deri më sot, përveç retorikës me asgjë nuk janë dalluar nga njëra-tjetra në raport me çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore.

5. Sepse të gjitha këto parti para ardhjes së tyre në pushtet kanë qenë të zëshme për shkeljen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, ndërsa pas ardhjes së tyre në pushtet i kanë ndryshuar qëndrimet e tyre, duke u shndërruar në dorë e zgjatur e pushtetit për mbajtjen nën kontroll të çdo lëvizje progresive ndër shqiptarët.

Nuk do të doja të jetë kështu edhe kësaj radhe, por zgjedhjet parlamentare janë afër dhe formimi i qeverisë së ardhshme gjithashtu do të jetë afër, por shpresat janë tepër të vogla për ndryshime pozitive në interes të popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore.

A nuk e vëreni se të gjitha partitë politike të shqiptarëve kanë retorikë të njëjtë, programe të përafërta, qëllime të ngjashme për t’u bërë pjesë e pushtetit, por askujt nuk i intereson për numrin e banorëve shqiptarë, numrin e votuesve, modelin zgjedhor, cilësinë e zgjedhjeve, manipulimet e pushtetit me listat e votuesve dhe numrin e votuesve, për listat e mbyllura e jo të hapura të kandidatëve, dhe sidomos nuk u intereson statusi juridik-kushtetues aktual i shqiptarëve, si pakicë kombëtare dhe grup i qytetarëve mbi 20%.

Partitë politike dhe drejtuesit e tyre, që nuk u intereson forcimi i faktorit politik shqiptar në këtë shtet dhe as statusi i popullit shqiptar autokton në trojet e veta etnike, i votuan apo nuk i votuan qytetarët shqiptarë, me asgjë nuk ndryshon gjendja e tyre dhe e ardhja në këtë shtet.

Qofshi shëndoshë dhe flasim pas zgjedhjeve, sidomos pas formimit të qeverisë së ardhshme, me aktorë të njëjtë dhe probleme të njëjta!

(6.VII.2020)

(Marrë nga profili i autorit në Facebook)