Home / PROGRAMMES / Conflict Studies / Një destabilizim asimetrik në Mal të Zi dhe Kosovë

Një destabilizim asimetrik në Mal të Zi dhe Kosovë

SELIM IBRAIMI- Kriza politike në Mal të Zi ka marrë dimensione të reja. Qytetarë që mbështesin presidentin aktual Millo Gjukanoviq fuqishëm kanë dalë në rrugë të Podgoricës për të parandaluar veprimet në parlamentin malazez për të mposhtur presidentin. Qeveria në dorëheqje e  Dritan Abazoviqit tashmë është kthyer në një sherr të madh në Mal të Zi, duke i dhënë Serbisë dhe elementëve rus një rast të mirë për të destabilizuar Malin e Zi në prag të dimrit dhe krizës energjetike. Qysh  me formimin e qeverisë së Abazoviqit, Beogradi dhe Moska kanë pasur një ndikim të veçantë dhe nuk kanë pasur nevojë të dërgojnë ushtarë në këtë pjesë të Ballkanit për të ushtruar ndikim apo pushtuar një vend.

Aktualisht, protestat në mbrojtje të kushtetutës malazeze janë hapat e fundit para se Podgorica të bie në duart e serbëve. Kjo mund të quhet si një përpjeke për destabilizim asimetrik të Malit të Zi, një shtet anëtar i NATO-s. Njëkohësisht përpjekjet serbe për të ndërruar presidentin po bëhen para syve të BE-së dhe SHBA-së. Angazhimi serbo-rus është i mëhershëm si në Podgoricë dhe Cetinjë për të ndryshuar pushtetin me dhunë apo me mjete tjera. I pari aksion daton aty kah viti 2016, para se Mali i Zi të bëhej anëtar i NATO-s, dhe e fundit më e theksuara po zhvillohet gjatë qeverisë në largim të Abazoviqit ku serbët bashkë më rusët janë të vendosur të largojnë të gjithë aktorët pro amerikanë dhe pro BE-s nga skena politike. Kohë më parë Abazoviqi bëri largimin e ministrit të Jashtëm dhe të Mbrojtjes nga qeveria, të cilit njeherit ishin njerëz të besuar të Uashingtonit në Podgoricë.

Ashtu si lufta e rusëve në Ukrainë sipas planeve të Putinit nuk shkon mirë, një rol të përkeqësimit të raporteve ndër-fqinjësore e ka marrë Serbia, e cila ka rol të drejtpërdrejtë në ngjarjet në Mal të Zi dhe në veri të Kosovës. Destabilizimi asimetrik i Malit të Zi dhe i Kosovës duhet parandaluar nga NATO dhe vetë qytetarët malazezë dhe kosovarë . Siç është vërejtur gjatë tre muajve të fundit, qeveria në largim e Abazoviqit është shndërruar në një vegël të Kishës Ortodokse serbe dhe të inteligjencës serbe për të mbajtur Podgoricën nën tension të brendshëm dhe të përhershëm. I vetmi opsion për bllokadën e re politike dhe krizën që buron edhe nga jashtë, është që forcat demokratike në Mali i Zi në fillim të vitit 2023 të arrijnë të organizojnë zgjedhje të shpejta, ku forcat politike me të vërtetë pro BE- SHBA do të marrin pushtetin, dhe paralelisht të bëjnë mënjanimin e forcave radikale dhe atyre që janë nën ndikimin serbo-rus.

Është me rëndësi që votuesit shqiptarë të mos votojnë më për kandidatë kinse të moderuar, dhe që janë mbështetës të politikave të përmbysjes së shtetësisë së Malit të Zi. Një koalicion anti serb dhe pro BE –SHBA do të ishte më se i domosdoshëm për Podgoricën dhe mbarë rajonin. Përveç këtij destabilizimi klasik asimetrik, shtetet e Ballkanit po përballen gjithashtu me sulme të gjithanshme ndaj demokracisë, që kanë për qëllim uljen e standardeve të sjelljes politike, qeverisjes dhe të vazhdimit të kontrollit nga jashtë. Në veri të Kosovës, me largimin e “Listës Serbe” nga qeveria, janë krijuar kushte për konflikt të izoluar atje.

Serbia bashkë me elementë lokal kriminal dhe me ndihmë të Ambasadës ruse në Beograd, po bën përpjekje për të destabilizuar veriun dhe përfundimisht shkëputur këtë pjesë të territorit të Kosovës tani dhe para fillimit të bisedimeve serbo-kosovare rreth Planit franko-gjerman. SHBA dhe BE nuk duhet të lejojnë që ky sulm të vazhdojë në Mal të Zi dhe as më pak në Kosovë. Është koha të mbajnë qëndrim të drejtë duke e mbështetur presidentin Gjukanoviq dhe qeverinë në Kosovë. Të njëjtin pozicion duhet ta forcojnë dhe tregojnë hapur ndaj Serbisë, duke mos lejuar që ky shtet të bëhet nxitës i trazirave në Mal të Zi, në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Nëse SHBA dhe BE do të vazhdojnë të përkëdhelin edhe më tej Beogradin, atëherë çdo përkeqësim apo konflikt në Kosovë dhe Mal të Zi do të ishte përgjegjësi padyshim edhe e SHBA-së dhe BE-së.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

About Admin