Një aleancë në kohë të duhur

Nga Selim Ibraimi-Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit

Hyrje

Ministrat e Jashtëm të Maqedonisë dhe të Greqisë i kanë filluar bisedimet dy palëshe duke i dhënë procesit të negociatave një pamje më reale.

Disa ditë më parë kryeministri Zoran Zaev u takua me presidentin dhe kryeministrin e Turqisë Rezhep Taip Erdogan dhe Binali Yildirim.

Vizita e kryeministrit Zoran Zaev u realizua në një kohë kur Shkupi ka hyrë në negociata me palën greke rreth ndryshimeve të emrit, ndërkohë Greqia mundohet të tregohet se është më e fortë në procesin negociues dhe më koperative për bashkësinë ndërkombëtare.

Në fakt kryeministri Zaev me takimin e tij me Erdoganin e ka përforcuar pozitën e tij dhe të qeverisë kundrejt Athinës.

Analizë

Një aleancë strategjike në mes Maqedonisë dhe Turqisë është më se e nevojshme për Maqedoninë dhe i përgjigjet situatës aktuale ku është duke notuar qeveria e re në kontekst të zgjidhjes së emrit.

Maqedonia dhe Turqia kanë vendosur marrëdhënie diplomatike që nga gushti i vitit 1992 dhe kjo për Maqedoninë ka qenë një ndihmë për të mbajtur gjallë vendin pas shkëputjes nga Beogradi dhe bllokadës që vinte atëherë nga Greqia.

Se një Aelancë është në ngritje dhe me prioritet flet vetë deklarata e kryeministrit turk.

Kryeministri i Turqisë ka deklaruar se është e gabuar që Greqia të diktojë se çfarë emri zyrtar duhet të mbajë Maqedonia, por ka thënë se shpreson se dy vendet fqinjë mund ti zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë miqësore.

Duke folur në një konferencë shtypi me kryeministrin Zoran Zaev të hënën, Binali Yildirim tha: “Është e gabuar që një vend tjetër të përcaktojë emrin e një vendi”.

Dy ditë pas protestave në Greqi, kryeministri Zoran Zaev deklaroi se vendi i tij ishte i gatshëm të bëjë kompromis, duke sugjeruar opsione të ndryshme si përdorimi i “përcaktimeve gjeografike”, pra riemërimi i vendit si “Maqedonia e Epërme”, “Maqedonia Veriore”ose “Maqedonia e Re”.

Greqia në një farë forme ka frikë se vazhdimi i ‘status quos’ do të mund të dobësojë vetë Greqinë në rajon dhe në raport më rivalin e saj Turqinë.

Marrëdhëniet jo të mira fqinjësore midis Athinës dhe Shkupit ndikojnë që Turqia të rrisë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor si pjesë e një politike që ka qëllime të qarta dhe të caktuara gjeostrategjike.

Erdogani dhe qeveria turke asnjëherë nuk e ka kundërshtuar pranimin e Maqedonisë në NATO dhe ka akuzuar vazhdimisht Greqinë se ka vepruar padrejtësisht që nga viti 1991 në parandalimin e Shkupit për tu bërë pjesë e Aleancës.

Turqia tashmë për më shumë se një dekadë ka një ndikim të theksuar në Ballkan dhe është në fazën e shtrirjes së influencës.

Sipas raporteve të Qendrës së Studimeve Strategjike me bazë në Stamboll, më 17 mars 1994  në mes Maqedonisë  dhe Turqisë u nënshkrua Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik. Marrëveshja për Parandalimin e Tatimit të Dyfishtë u nënshkrua më 16 qershor 1995 dhe Marrëveshja për Mbrojtjen dhe Promovimin e Ndërsjellë të Investimeve u                  nënshkrua më 14 korrik 1995. Për më tepër, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë u nënshkrua më 7 shtator 1999.
Si fillim i marrëdhënieve ushtarake mes dy vendeve, një Protokolli i Sigurisë u nënshkrua në Ankara më 18 maj 1992. Marrëdhëniet ushtarake janë përqëndruar kryesisht në asistencën e stërvitjes ushtarake dhe në grantet e dhëna për mbështetjen logjistike të ushtrisë maqedonase. Asistenca ushtarake e trajnimit kryhet në përputhje me Marrëveshjen e Bashkëpunimit të Trajnimit Ushtarak e nënshkruar në vitin 1994. Gjithashtu, një Marrëveshje për Bashkëpunim në Industrisë e Mbrojtjes u nënshkrua në mes të dy vendeve në prill të vitit 1995.

Për më tepër, sipas Dhomës Tregtare të Maqedonisë, shkëmbimi i përgjithshëm tregtar i Republikës së Maqedonisë me Republikën e Turqisë në 9 muajt e parë të vitit 2017  ishte 314,9 milion US $, që është një rritje prej 4,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Vlera e eksportit është 60,1 milion US $ për 9 muaj të 2017, ndërsa bilanci i importit ishte 254,8 milion US $.
Republika e Turqisë është partneri i tetë tregtar në shkëmbimin e tregtisë së jashtme të Maqedonisë për 9 muajt e parë të vitit 2017.

Për më shumë  përderisa Turqia është duke vazhduar me politikat e zgjerimit, Greqia pa forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me shtetet e Ballkanit në shumë nivele do ta ketë vështirë të jetë lider i Ballkanit Jugor ose të bëhet rivale e Turqisë.

Pëkundër dallimeve rreth emrit, në marrëdhëniet tregtare në mes vendeve, Greqia është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Maqedonisë. Shëmbimi përgjithshëm në mes Maqedonisë dhe Greqisë për vitin 2016 ishte 598 milion Euro. Kompanitë greke kanë investuar në sistemin bankar, në industrinë e naftës, atë të tekstilit dhe në sektorët tjerë të rëndësishëm të ekonomisë së Maqedonisë. Në këtë drejtim përmirësimi i marrëdhënive me Maqedoninë është në interesin kombëtar të Greqisë. 

 

Përfundim

Aleancat ndërtohen në kohë të vështira dhe pa dyshim Maqedonia si pjesë e hapësirës post-otomane, luan rol të rëndësishëm në konfigurimet aktuale. Në fakt koha kalon dhe shumica e shteteve anëtare të OKB-së, e kanë njohur vendin si “Republika e Maqedonisë” ndërsa vazhdimi i ‘status quos’ ka dëmtuar Athinën në disa fronte dhe duke e bërë Balkanin Jugor pjesë të lojrave gjeopolitike jo vetëm në nivel rajonal por edhe në atë global.

 

ISSDMACEDONIA

2018