“Nacionalizmi” i sotëm në Maqedoni, nuk përbën kërcënim për rajonin dhe sigurinë kombëtare

Selim Ibraimi për “Слободен Печат”BDI pas zgjedhjeve dëshiron të jetë një parti më e fortë krahasuar me Aleancën për Shqiptarët (АSH), sepse rejtingu i Ahmetit dhe Selës është në të njëjtin nivel, dhe tani BDI-së nuk i mbetet gjë tjetër veçse të debatojë për temat që janë më joshëse dhe të nxehta.

“Nacionalizmi” i BDI-së është periodik dhe në varësi të situatës së brendshme në parti ose ka të bëjë me përpjekjet për të shpërqendruar opinionin publik nga temat më të rëndësishme që Ali  Ahmeti dhe ministrat e tij i premtuan elektoratit. Për më shumë, “nacionalizmi” i  ASHsë është i llojit të thatë, jo aktiv dhe nuk ka formë.
Unë nuk besoj se retorika aktuale kur Bullgaria ngre çështjen e identitetit maqedonas, do të ketë ndonjë efekt konkret ose do të pengojë procesin e stabilizimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe procesin e reformës që Maqedonia dhe qeveria e kryeministrit Zoran Zaev duhet të zbatojnë.

Në planin afatgjatë, nuk do të ketë nacionalizëm të ashpër në Ballkan, ai do të transformohet ose shkrihet në aspekte të tjera të ekonomisë, ku përparësitë individuale dhe shtetërore do të kërkohen përmes konkurrencës kulturore, ekonomike dhe kapaciteteve kombëtare të një kombi apo etnie. Gjithashtu, për të hyrë në BE, ne me të vërtetë duhet të sillemi dhe të jetojmë si evropianë.
As BDI-ja dhe as partitë e tjera nuk kanë kapacitete për të bërë ndryshime rrënjësore në sistemin aktual maqedonas, kështu që unë do të thoja se deklaratat e fundit vijnë nga presioni konkurrues i partive të tjera shqiptare, veçanërisht i Aleancës së Shqiptarëve.

Në këtë drejtim, do të shtoja ose citoja shembullin e partisë së Bilall Kasamit BESA, e cila nga një parti që dikur kërkonte një ridefinim të shtetit dhe vazhdimisht akuzonte LSDM-në dhe Zoran Zaevin, më vonë u detyrua të hynte në një koalicion me LSDM-në, dhe tani pothuajse si parti nuk ndryshojnë aq nga LSDM-ja dhe flasin me një zë të përbashkët. Pra, retorika e tyre ishte vetëm për hir të rejtingut para elektoratit dhe partive të tjera dhe asgjë më shumë. Tani, nëse e shikoni, ata nuk flasin më për të drejtat etnike, por vetëm për bujqësinë dhe blegtorinë ose me pak fjalë, për ekonominë.

Partitë shqiptare në Maqedoni, nuk janë nacionaliste dhe nuk duhet të kemi frikë nga fjalimet dhe deklaratat e tyre, të ministrave ose zëvendësministrave të BDI-së ose partive të tjera. “Nacionalizmi” i sotëm në Ballkan ose në Maqedoni, pavarësisht nëse ka të bëjë me ato të partive maqedonase dhe shqiptare, nuk përbën kërcënim për rajonin dhe sigurinë kombëtare.

Në Maqedoninë e Veriut klasa politike dhe ajo në qeveri duhet të kenë kujdes nga nacionalizmi dhe shovenizmi institucional i promovuar dhe i mykur që nga koha e komunizmit dhe pas. Degëzimi i saj dhe problemi i çrrënjosjes së ideve recidive, paraqet problem kryesorë në raportet shqiptaro-maqedonase. Për më tepër, unë do të doja të shtoja se vendi ka nevojë për zhvillim të vërtetë demokratik dhe respektim të standardeve ndërkombëtare. (E plotësuar për ribotimin në gjuhën shqipe)