Modifikimet territoriale si zgjidhje për eurointegrimet dhe stabilitetin rajonal

SELIM IBRAIMI-  Realiteti i vjetër i kufijve artificialë të vendosura para një shekulli, tregon se çështjet etnike dhe definimi i hapësirave territoriale nuk konsiderohen si të mbyllura në Ballkan.

Çështjet e mbetura nga hapësira gjeopolitike post-osmane dhe ajo komuniste me anë të lëvizjes së kufijve për të arritur një përshtatje të dëshiruar, shihet me frikë nga shtetet fqinjë.

Ribërja e territoreve dhe përshtatja e identiteteve etnike me anë të korrigjimit të vogël që tentohet të bëhet aktualisht, mund të konsiderohet si një përpjekje për të rregulluar hapësirat etnike me ato shtetërore.

Rregullimi është një proces i vështirë dhe i kushtueshëm për qeveritë kombëtare dhe ndonjëherë i papranueshëm nga fuqitë e mëdha por i domosdoshëm dhe i pashmangshëm.

Administrata e Presidentit Donald Trump ka dhënë disa shenja se do të pajtohet me zgjidhjen e arritur në mes Prishtinës dhe Beogradit. Mirëpo Gjermania dhe Franca në një aleancë kundër Uashingtonit në Berlin, e kanë hudhur poshtë idenë e korrigjimit të kufirit. A është ky një korrigjim në shkallë të vogël për të arritur efekte gjeopolitike për ShBA-në në Ballkan apo Beogradi përpiqet të maksimizojë interesat shtetërore duke fituar nga marrëveshja eventuale serbo-kosovare? Në të vërtetë një gjeopolitikë e re po lind që lë shqiptarët të ndarë përballë Serbisë dhe Maqedonisë Veriore e cila po mundohet të konsolidohet si shtet dhe të largohet nga orbita ruse.

Shqetësime në rritje janë identifikuar nga diplomatët e huaj nga rikonfigurimi i kufijve dhe krijimi i shteteve homogjene në Ballkan. A do të jetë dekada e tretë epoka e shteteve homogjene? E gjithë kjo do të shihet nëse Bashkimi Europian do të arrijë të qëndrojë bashkë duke reflektuar në Europën Juglindore dhe në marrëdhëniet me Rusinë dhe ShBA-në.

Për më shumë, një ndryshim apo tragjedi në Ballkan, mund të fillojë me një atentat, operacione klandestine të huaja, gara të reja për armatim apo edhe bllokada ekonomike në mes shtetetve të hapësirës ish jugosllave duke u thirrur në emër të interesave shtetërore dhe kombëtare.

Tani a ka filluar të shpërndahet ’murtaja’ e re në Ballkan duke modifikuar pjesë të territoreve nga shekulli i kaluar dhe duke i paraqitur si zgjidhje për eurointegrimet dhe stabilitetin rajonal? Dilemat dhe sfidat e reja duhet të gjejnë zgjidhje nga ideatorët e ndryshimeve kufitare dhe ‘garantuesit’ e tyre imperial. (@CSSDMacedonia-ISSDMaqedonia)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

* Copy This Password *

* Type Or Paste Password Here *