Home / PROGRAMMES / Conflict Studies / Mbrojtja e demokracive të reja përmes teknologjisë

Mbrojtja e demokracive të reja përmes teknologjisë

SELIM IBRAIMI-Kur trupat sovjetike hynë në Berlin në fillim të muajit maj të 1945-ës, vullneti luftarak për të mposhtur Gjermaninë ishte i madh. Ushtria sovjetike arriti e para në Rajshtag, duke ngritur flamurin rus në qytetin e shkatërruar nga bombardimet e forcave aleate. Gëzimi i ushtrisë sovjetike ishte i pa fund, pasi arritën të pushtonin një pjesë të konsiderueshme të territorit gjerman duke arritur deri në Vjenë. Tetë dekada pas, gjendja ndërkombëtare ka ndryshuar, nuk jemi në kohën e pas Luftës së Dytë Botërore dhe as të pas Luftës së Ftohtë. Rusia sot është tërhequr nga Kharkivi dhe Khersoni duke lënë pas vetes territoret e pushtuara nga sulmi i shkurtit. Lumi Dnajpër është vija ndarëse e dy armiqve shekullorë. Dhe jo vetëm kaq! Po aty mund të jetë vija ku mbrohen demokracitë e reja dhe në anën tjetër ku autoritarizmi sundon dhe rënimi ekonomik nuk kanë përfunduar.

Rusia fuqi në rënie ekonomike dhe pranë kolapsit është gjunjëzuar nga demokracitë e zhvilluara. Nga vullneti i qeverive perëndimore dhe me ndihmën e dronëve “Bayraktar- TB2” të Turqisë të dërguara në Ukrainë, po shihet se koalicioni global demokratik është në mbrojtje të rendit liberal që po sfidohet jo vetëm nga Rusia. Në këtë teatër të luftës në Evropën Lindore, një rol kryesorë ka luajtur ndihma në mjete ushtarake nga SHBA-të dhe vendet tjera për ushtrinë dhe popullin ukrainas. Këtu rol kritik po luajnë dronët dhe mjetet e avancuara teknologjike që janë në gjendje nga larg të gjuajnë pozicionet ruse. Padyshim kjo strategji në mbrojtje të demokracive të reja me dronë dhe satelitë nga hapësira ka pasur një sukses të madh në fushëbetejë.

Përkundër kritikëve që flasin për ndikimin negativ të mjeteve të avancuara në luftë dhe rreziqet që paraqesin për demokracitë, “Geoint” në përgjithësi në luftën ruso-ukrainase si një metodë e re përdorimit të teknologjive të reja ka qenë dhe vazhdon të jetë e domosdoshme për të shkatërruar makinerinë luftarake të Putinit. Para fillimit të agresionit rus në Ukrainë, SHBA kishte dërguar mjete minimale në Kiev, kurse sot kjo ndihmë shkon deri në 19 bilionë dollarë amerikanë. Nga ana tjetër, qytetarët amerikanë mendojnë se demokracitë moderne liberale ia vlen të mbrohen dhe kanë mbështetur përpjekjet e Uashingtonit për të furnizuar me armë Ukrainën.

Sipas pikëpamjes së Uashingtonit zyrtarë demokracitë moderne qoftë në Evropën Lindore dhe në Ballkan duhet të mbështeten, sepse këto demokraci, më shumë se çdo formë tjetër qeverisje janë më të drejta për të përfaqësuar zërin e qytetarëve. Kur jemi tek mjetet ushtarake moderne dhe demokracitë në rrezik apo të sulmuara, SHBA ka dërguar mbi 15 dronë vëzhgimi “ScanEagle” për të ndihmuar ukrainasit të zbulojnë dhe korrigjojnë goditjet e precizitetit të lartë. Sipas njoftimeve të shtypit, dronët e vegjël lëvizin shpejtë dhe janë bazë e mirë për të mbajtur qytetin e Khersonit nën kontroll. Përdorimi i “Himars” nga ushtria ukrainase i ka tmerruar rusët duke vendosur një balancë të re në fushëbetejë dhe duke i lënë rusët pa plane konkrete.

Bazuar në vlerësimet aktuale, kjo ndihmë ka qenë e domosdoshme jo vetëm për t’i bërë ballë fuqisë ushtarake të Moskës, e cila së fundi është furnizuar me dronë nga Irani, por për të mundësuar një fushatë kundër forcave ruse. Gjithashtu dy sisteme të avancuara kombëtare të raketave tokë-ajër janë dorëzuar në Ukrainë, njoftoi zyra e shtypit e Pentagonit. Javën e shkuar Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-ve njoftoi për një ndihmë shtesë për Ukrainën me vlerë deri në 400 milion dollarë. Pa marrë parasysh ndërhyrjen e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe shteteve tjera, pushtimi rus i Ukrainës tregoi se Rusia është një shtet i rrezikshëm. Në këtë kuadër përdorimi i mjeteve të avancuara ushtarake në Ukrainë ishte një mundësi për SHBA që të zhvillojë avionët e padukshëm dhe njësitë tjera në hapësirë.

Nga ana tjetër, në Ballkan me rëndësi është që të ketë mbyllje të mosmarrëveshjeve historike, ku shtetet e zhvilluara më tej do të mund të investonin në degë të ndryshme të ekonomisë dhe furnizonin me armë moderne shtetet e Ballkanit. Armatosja aktuale e Serbisë me teknologji kineze është bërë para syve të BE-së dhe SHBA-së dhe balanca ushtarake shumë lehtë mund të lëkundet. Vetëm një përmirësim i raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përfundimi i rastit të Bosnjës do të mund të tregojë se armatosja e fundit e Serbisë nuk ka për qëllim rritjen e armiqësive ndaj shteteve fqinjë dhe rrezikimin e demokracive të brishta me teknologji të reja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

About Admin