Mbi territorin dhe kulturën e frikës ndëretnike në Maqedoni

SELIM IBRAIMI (CSSD)- Në një epokë të lëvizjeve globale dhe rajonale në Europën Perëndimore dhe në Ballkan, nocioni i territorit si një hapësirë politiko-institucionale e kufizuar, kërkon hulumtime të mëtejshme.

Përveç territorit si burim jo vetëm simbolik, shtetit i duhet një rregullim hapësinor i procesit të akumulimit dhe riprodhimit të kapitalit dhe burimeve të tjera publike siç janë tatimet dhe paralelisht qeveria ka nevojë për buxhet shtetëror duke vendosur tatime.

Në Maqedoni dhe në përgjithësi në shtetet me përbërje të përzier ndëretnike territori mbetet i komplikuar dhe implikon diskurse dhe praktika të shoqërisë integruese ose në disa momente historike edhe përçarëse.

Në Maqedoni kemi dy retorika kombëtare: njëra nga pala maqedonase e cila territorin dhe sovranitetin e quan si të vetin dhe të pandarë me etnitë tjera dhe e dyta është ai shqiptar i pa konsoliduar si retorikë dhe diskurs, përshkak të mungesës së një strategjie kombëtare nga partitë politike shqiptare.

Ky lloj diskursi kombëtar në fakt përbën një ndër pengesat kur shqiptarët dhe liderët përballen me ndërkombëtarët gjatë bisedimeve dhe shqyrtimeve të ndryshme që lidhen me territorin, kombin dhe sovranitetin shqiptar brenda Republikës së Maqedonisë.

Nga një aspeket tjetër shqiptarët e Maqedonisë duhet të promovojnë një nacionalizëm qytetar europian me çka do të linde një epokë e re tek shoqëria shqiptare.

Përkatësia dhe besnikëria përtej retorikës kombëtare për kontroll dhe sovranitet territorial të një populli ilustrohet më mirë me historitë e errta të disa shteteve europiane gjatë periudhës së nacionalizmit dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare.

Kultura e frikës që është përhapur me dekada në Maqedoni i ka pasojat e veta në përditshmërinë ndëretnike të vendit dhe në ndërtimin e politikave jo adekuate të mirëbesimit dhe përpjekjeve kundër çdo lloj ekstremizmi.

Për më shumë kultura e frikës është një term që i referohet përhapjes së përceptuar të frikës dhe ankthit në diskursin publik e më së shumti në shoqëritë multietnike dhe kjo natyrisht se ndikon në mënyrën se si individët ndërveprojnë me njëri-tjetrin në mjediset e përziera etnikisht.

Në Maqedoni kulturat e ndryshme nuk kanë vepruar si agjentë pozitivë demokratik por e kundërta ka ndodhur.

Frika etnike për hapësirë, territor, sovranitet dhe shtypje kulturore ka luajtur rolin kryesor në thellimin e hendekut ndëretnik.

Vëretjet ndërkombëtare nuk kanë dhënë rezultate konkrete dhe kjo u dëshmua me Marrëveshjen e Ohrit dhe mos ndryshimin e qasjes së qeverisë dhe partive nacionaliste maqedonase ndaj statusit të shqiptarëve të Maqedonisë.Një pjesë të fajtit këtu e kanë edhe liderët shqiptarë të cilët më së shumti janë kujdesur për zhvillimin e një sistemi korruptiv dhe kleptokratik në mjediset shqiptare.

Këtu gjithëashtu kemi disa çështje të hapura që do të vazhdojnë ta trondisin skenën politike të Maqedonisë. Konfrontimi i frikës së dy etnive do të jetë fatale për Maqedoninë e brishtë.

Një version i frikës ndërfqinjësore i ka përshkruar raportet e Maqedonisë me Greqinë, Kosovën, Bullgarinë dhe Shqipërinë, përshkak të emrit dhe identitetit të diskutueshëm nga shtetet anëtare të NATO-s ose të BE-së.

Një menazhim i ri nga aktorë tjerë ndoshta do ta shtynte krizën tjetër shqiptaro-maqedonase dhe do ta largonte frikën si mjet i politikës ditore për ta vazhduar ankthin ndëretnik edhe për gjatë kohë në Maqedoni.