LOJA ME EMRA

 SELIM IBRAIMI- Greqia në mënyrë indirekte e hodhi poshtë propozimin e pranuar nga pala maqedone “Republika Ilinditase e Maqedonisë”. Në në një kumtesë ajo theksoi se për një zgjidhje në mes dy palëve duhet përcaktues gjeografik dhe kohorë.

Atëherë është absurde se pse kryeministri Zoran Zaev bashkë me ekpin e tij dje në një konferencë shtypi tha se janë dakorduar me Greqinë rreth këtij propozimi.

Ndërkohë sot qeveria e Maqedonisë në një kumtesë njoftoi: “Republika e Ilinditase e Maqedonisë” është një emër me një përcaktues kohor që i referohet datave specifike nga e kaluara dhe është një mundësi reale për një kompromis që kënaq të dy palët. Presim që propozimi të kuptohet dhe të gjejë mbështetje më të gjerë në Athinë.

Me këtë emër, ne bëjmë një demarkacion të plotë me rajonin e Maqedonisë në Greqi. Dallimi nga çdo aspekt. Kryengritja e Ilindenit është një luftë e përbashkët e popullit tonë multietnik për të drejtat dhe liritë sociale. Dhe nuk ka aspirata territoriale ndaj asnjë vendi fqinj, përfshirë Greqinë. Është e njëjta luftë, si në vitin 1903 dhe në vitin 1944.Republika e Maqedonisë dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë nuk kanë pretendime territoriale dhe konfirmojnë pacenueshmërinë e kufijve dhe respektin për trashëgiminë e popullit grek dhe Greqisë.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të vazhdojë bisedimet me Qeverinë e Republikës Greke derisa të arrihet një zgjidhje përfundimtare ndaj mosmarrëveshjes 25-vjeçare. Ne kurrë nuk kemi qenë më afër një zgjidhjeje dhe miqësia midis dy vendeve dhe dy popujve nuk ka qenë kurrë më e madhe. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të nxjerrë maksimumin nga ky moment historik pozitiv për të dy vendet”- thuhet në njoftim e qeverisë. http://vlada.mk/node/14722

Për më shumë, Zv.presidenti amerikan Mike Pence në një bisedë me kryeministrin grek Tsipiras kishte falendëruar atë për lidershipin e treguar nga të dyja palët dhe shpresonte për zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate për stabilitet të përhershëm.

Postimi në Twitter i Zv.presidentit Mike Pence. ”Fola me kryeministrin grek Tsipras. Falënderova atë për lidershipin e tij, së bashku me kryeministrin maqedonas Zaev, në përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë të emrit. Mundësi historike. Shpresoj se të dyja palët mund të arrijnë marrëveshje reciproke të pranueshme dhe të promovojnë paqen dhe stabilitetin në rajon”.

-Në fund të shekullit të XIX dhe fillim të shek. të XX në Ballkan, në emër të luftës kundër ideologjive ndërkombëtare, fshiheshin shumë projekete etnike. Ndërsa sot, në emër të luftës kundër ndikimit rus po bëhen përpjekje për ”kompromise” në dëm të popujve autoktonë.

Zgjidhja e kontekstit me Greqinë nuk është vetëm problem politik, por përfshinë kategoritë territoriale dhe aspektet etnike të popujve që jetojnë në Maqedoni me shekuj.

Në këtë propozim nuk janë marrë në konsideratë rrethanat historike të krijimit të Maqedonisë dhe ndryshimeve që janë bërë pas “Ilindentit të II” dhe të “III”, pra shtet vetëm i një etnie. Ky propozim për të cilën sipas kryeministrit Zoran Zaev, qeveria është e gatshme të shkojë përpara me mbështetjen e partive tjera qeveritare, në fakt mundë të nxisë më shumë probleme në të ardhmen se sa mbyllë sot.

Vazhdimi i dominimit me metoda jo demokratike pas vitit 1991 solli një sërë konfliktesh të brendshme në Maqedoni.

Prej këtu, ky propozim nuk është në pajtim as me të drejtën historike dhe ndërkombëtare, në fakt nuk pasqyron realitetin historik dhe aktual të gjendjes së etnive në Maqedoni, por tregon vetëm një indikatorë: atë të ekzistencës faktike të etnisë maqedone.

Marrëveshja e re duhet të sjellë stabilitetin rajonal dhe jo burim për zënka dhe vazhdim të mospajtimeve të brendshme. Loja me “Republikën e Krushevës” – me “Republikën Ilinditase të Maqedonisë” nga politikanët nuk çon drejt zgjidhjeve të qëndrueshme. SHBA dhe BE janë të interesuara për paqë, përparim dhe stabilitet.

Andaj duhet vrapuar rreth propozimeve tjera dhe me një ekip diplomatësh që ja duan të mirën të gjithë banorëve të Maqedonisë pa dallime etnike dhe fetare. Mungesa totale e propozimeve nga shqiptarët rreth emrit është për fajin e shoqërisë dhe të politikës shqiptare në Maqedoni.

Prej sot, opsione dhe propozime të reja nga shqiptarët duhet të ndërtohen  jo vetëm nga drejtuesit e ministrive por edhe nga institutet, katedrat historike dhe organizatat kredibile, që kanë për qëllim të ndihmojnë procesin e zgjidhjes së emrit, pa anime etnike dhe gjithashtu anëtarësim të shpejtë të Maqedonisë në NATO.

Pakoja aktuale e përpiluar jo vetëm nga Greqia po edhe nga grupi negociator maqedonas, nuk është në pajtim me realitetin etnik dhe demografik të Maqedonisë.Tani është mundësia që të korrigjohet si pako dhe të shkohet drejt një propozimi të pranueshëm për të gjithë.