Shënim nga Selim Ibraimi, (ShBA)- Gjermania është kundër çdo ndryshimi të kufijve midis Serbisë dhe Kosovës, por është për një marrëveshje që do t’ua lehtësojë të dyja vendeve rrugën europiane drejt një integrimi të mundshëm në Bashkimin Europian (BE) dhe aleancën ushtarake -NATO-. Këtu kemi një qëndrim më të relaksuar të Berlinit krahasuar me atë të vitit 2018, kur qeveria gjermane e hodhi poshtë idenë e shkëmbimeve territoriale.

###

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi si një mjeshtër me ambicie të mëdha, arriti në Uashington në një atmosferë jo aq të favorshme për Ballkanin, por ka arritur të bindë qarqet diplomatike amerikane dhe Shtëpinë e Bardhë se marrëveshja Serbi-Kosovë do të ndihmojë stabilizimin e Europës Juglindore dhe i gjithë procesi do të shkonte në interes të politikës afatgjate të ShBA-së në rajon. Ndërsa një zyrtar i lartë rus në Tiranë tha se shkëmbimi i territoreve është një ide amerikane.

Megjithëse mbetet ende e paqartë për atë se çfarë përmban ky plan, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe janë mbështetësit më të mëdhenjë të këtij propozimi, ide që thuhet se buron nga presidenca e Kosovës.

###

Faza e parë e luftës së informative nuk shkoi në favor të Presidentit Thaçi në Kosovë dhe në rajon, por në fakt duhet pranuar se ai arriti të krijojë një rreth dhe rrjet të konsoliduar të zyrtarëve me influencë në administratën e Presidentit Donald Trump dhe në Departamentin e Shtetit.

Faza e dytë që sapo ka marrë formë, është rivendosja e besimit, zhvillimi i negociateve zyrtare dhe përgatitja e opinionit në terren për efektet territoriale të marrëveshjes së mundshme.

A do të marrë në fund politika e Thaçit çmimin e merituar nga Uashingtoni bashkë me përfitimet e njohjes së plotë të Kosovës dhe normalizimin e marrdhënieve në mes dy shteteve? Dilemat  do të vazhdojnë deri në hapjen e planit dhe hartave të reja që do ta definojnë të ardhmen e Ballkanit. (ISSDMaqedonia)  

(30.3.2019)