Nga Pr.Dr. Etem Aziri- Ndodhitë e para dy ditëve në SHBA ishin të dhimbshme për demokracinë në përgjithësi. Për çka bëhet fjalë, për popullin e revoltuar apo dhunim të demokracisë?! Ngjarje të tilla janë të pritshme në të gjitha vendet e botës. Por kur kjo ndodh në SHBA, atëherë është e frikshme dhe e trishtueshme. SHBA-të janë shtet, që na mësojnë të gjithë neve se çfarë është demokracia dhe si duket demokracia funksionale.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA janë pak konfuze, por në rastin konkret fitorja e Bajdenit është e pastërt si loti. Ai fitoi bindshëm dhe me shumicë të votave të qytetarëve si edhe me shumicë të votave të elektorëve. E gjithë kjo situatë e re, na imponon ta studjojmë demokracinë nga një kënd tjetër, gjegjësisht të parashtrojmë disa pyetje: A është koha që të fillohet me “demokratizimin e vet demokracisë”?!; ose A gjendet demokracia si formë e qeverisjes në krizë?!
Idealizimi i demokracisë nuk e ndihmon avansimin e saj. Sa më parë të identifikohen dobësitë e demokracisë aq më shpejt dhe më lehtë ajo do të shërohet nga “viruset” që e sulmojnë në vazhdimësi.
Patjetër të identifikohen këtu dy, tre çështje: e para, demokracia është formë e veprimit institucional. Jashtë parimeve dhe rregullave institucionale, ajo e humb kuptimin; e dyta, demokracia është vlerë që në raste të veçanta mbrohet me forcë të bazuar në dhunë; e treta, për fat të keq demokracinë e ndërtojnë ndër dekada dhe shekuj shkencëtarët dhe e njëjta, sa çel e mbyll sytë, kohë pas kohe ajo dhunohet nga rrugaçëria edhe atë fatkeqësisht, në emër të vet demokracisë.
Sot, në shkencë ekzistojnë me dhjetra teori mbi demokracinë. Megjithatë, e hapur mbetet çështja e aplikimit të teorive mbi demokracinë në praktikat shoqërore, përsëri krijohet përshtypja se demokracia dita ditës shndërohet në një “lastik,” që mundet të hiqet e tërhiqet pa mbajtur llogari se edhe ajo në një moment mundet të këputet.
Nëqoftëse bëjmë një analizë të thjeshtë pa shumë teoretizime, do të përfundojmë se demokracia gjithandej në botë gjendet para një krize diku më të vogël, ose në disa vende është në krizë më të thellë. Së fundi, argumente pro kësaj që u tha më lartë hasen tek studiuesit nga bota antike e deri më sot.
Sokrati njëri nga viktimat e demokracisë thoshte veç tjerash:”Kur hajnat dhe mashtruesit do ta marin pushtetin në mënyrë demokratike, do të pasojë një tirani edhe më e keqe se ajo e kohës së monarkive ose oligarkive”.
Platoni duke e ndjekur mësuesin e vet do të konstaton se: “Demokracia e kalon kontrollin e qeverisjes nga ata që dinë të qeverisin tek demagogët populist”.
Aristoteli demokracinë e pranonte si një e keqe e domosdoshme. Ai thoshte:”Më tepër duhet të jetë sovrane shumica sesa më të mirët në rastin kur më të mirët janë të paktë”.
Që demokracia nuk është formë ideale e qeverisjes e sqaron bukur edhe ish kryeministri britanik, Uinston Çërçill me konstatimin e tij të mirënjohur: “Demokracia paraqet formën më të keqe të rregullimit shtetërorë, por është më pak e keqe se sa të gjitha format tjera të cilat kohë pas kohe provohen”.
Krizën e demokracisë si formë qeverisje në mënyrë shumë të qartë e shprehin Bernard Krik dhe Endru Hejvud.
Krik konstaton se: “Demokracia ndoshta është fjala më e pakuptimtë në botën e punëve publike”. Ndërsa Hejvud konstaton si vijon: “Meqë popullariteti i socializmit është zvogëluar ndërsa vlerat e kapitalizmit janë vënë në pikëpyetje, demokracia me sa duket mbetet i vetmi parim stabil dhe afatgjatë i mjedisit politik modern”.
Tani tu kthehemi ndodhive të fundit në SHBA, duke bërë një krahasim me RMV-në. Të gjithë krerët republikan përfshirë edhe nënkryetarin në largim Mike Pence e dënuan “sulmin” ndaj hapësirave të Kongresit. Opozita maqedonase assesi ta kupton se e ka dhunuar demokracinë me ndodhitë e prillit të vitit 2017. Gjygjet në SHBA me siguri se do të reagojnë në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën amerikane. Ndërsa RMV-ja me sa duket pas një shekulli do ta rrumbullakësojë gjykimin e hyrjes së turmës në hapësirat e Parlamentit në prill të vitit 2017.
Ajo që e detyron edhe “mushkën të pjell nga inati” është brengosja e politikanëve maqedonas për demokracinë amerikane. Brengosje shprehin personat që abuzojnë me demokracinë në shtetin e tyre 365 ditë në vit, nga mëngjezi e deri në mbrëmje.
Dhe këtu çka të themi më shumë, përveç se t’i dëshirojmë demokracisë gjithandej në botë shërim të plotë. Uroj që viti 2021 ta zhdukë pandeminë dhe ta shëron demokracinë, pa mos harruar se demokracinë nuk e bëjnë fjalët por veprat, nuk e bëjnë përcaktimet por bindjet. (CSSDNorthMacedonia- @ISSDMaqedoniaVeriore)