Nga Selim Ibraimi- Optimizmi i MPJ -së Bujar Osmani, se punët janë duke shkuar në drejtim të zgjidhjes së krizës në mes Shkupit dhe Sofjes, nuk është diçka e re dhe për tu habitur. Megjithatë, dy skenarët e Osmanit tregojnë për mentalitetin që ekziston në qeverinë e MV-së dhe në sektorët e MPJ-së ku bëhet ekzekutimi i politikës së jashtme maqedonase. Pasi Osmani në debatin televiziv të TV21 Maqedoni tha se çështjet varen nga ai dhe nga kryeministri Zaev, atëherë për t’i tejkaluar problemet atij do ti duhen ekspertë dhe individë që shkojnë përtej të dërguarit special për Bullgarinë z. Vllado Buçkovski.

Tani, nuk mund të bëhet drejtimi i diplomacisë parandaluese dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me kuadro të përgjysmuara të kohës jugosllave, atyre pas 91-shit e as më pak me historianë të mbështjellur me “këmisha” nacionaliste dhe ideologjike të angazhuar në kontestin me Bullgarinë.

Pasi ai vetë theksoi se shqiptarët dhe maqedonasit e kanë një të ardhme të përbashkët, është koha që ministri Osmani të angazhojë figura shqiptare nga Maqedonia në zënkën e fundit ndërshtetërore, pasi çështja në mes dy shteteve është po aq edhe shqiptare. Nuk mjaftojnë vetëm fjalë dhe retorikë në media, duhen veprime konkrete, sepse ministri Osmani dhe vetë diplomacia maqedonase janë të kufizuara në mjete, ide dhe teknika diplomatike për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve shekullore me shtetet fqinj. Urgjentisht zyrtarët e MPJ-së të fillojnë të lexojnë botimin e fundit të ish arkitektit të Marrëveshjes së Prespës, Wess A.  Mitchell The Grand Strategy of the Habsburg Empire”. (ISSDMaqedonia- @CSSDMacedonia)