Konstatimi i gabuar i Bujar Osmanit dhe sentimenti anti- bullgar

Arsim Zekolli– Prej nga Bujar Osmani nxjerr konstatimin për “solidarizimin e qytetarëve me maqedonasit” në lidhje me identitetin e tyre? Mbi të cilat fakte, të dhëna statistikore e bazon këtë konstatim? Asnjë!

Si qytetar dhe posaçërisht si Shqiptar, mund të them se solidarizohem me ndjenjat e maqedonasve mbi identitetin dhe gjuhen e tyre në të njëjtën masë si që solidarizohem me ndjenjat bullgare rreth çështjes se identitetit të tyre sllav (të mohuar nga maqedonasit), ofendimet raciste, shovene dhe seksiste ndaj tyre dhe tentativat që tërë popullin dhe shtetin e tyre ta identifikojnë si fashist. Nuk e di për qytetarët në përgjithësi, por jam i bindur se Shqiptarët në tërësi më shumë anojnë kah ky definicion i solidaritetit të balancuar dhe real, se sa ndaj pozitës një dimensionale të Bujar Osmanit.

Ka kohë që irriton pozicionimi i BDI-së na aspektin rajonal që gjithnjë e më shumë i ngjan të pranon pozitat filo-serbe të partnerëve të tyre të koalicionit dhe palës filo-serbe të maqedonasit karshi Bullgarisë. Ky nuk është – as historikisht e as kombëtarisht – pjesë e filozofisë politike Shqiptare. Ajo që irriton edhe më shumë është animi gjithnjë e më i qartë i Edi Ramës ndaj narrativit maqedonas dhe pozicionimi anti-bullgar.

Për momentin, Albin Kurti tenton të ruajë pozicionimin e tij të dikurshëm për aleancën Zagreb – Podgoricë – Prishtinë – Sofje, por mungesa e kontakteve me Sofjen dhe pranimi i pjesëmarrjes në Forumin e Prespës në të cilin nuk ka asnjë përfaqësues zyrtar bullgar, lë vend për dyshime se edhe qasja e tij do pason ndryshime. Posaçërisht fal ndikimit të duetit Konjufca – Jusufi.

Në përgjithësi, nuk është teprim të thuhet se si në Tiranë, Prishtinë ashtu dhe në Shkup, ndjehet avancimi i naracionit, personaliteteve dhe pikëpamjeve serbe mbi rajonin. Në këtë trekëndësh, është mu BDI ajo që prin për nga pëlqimi, favorizimi dhe promovimi i qarqeve dhe personaliteteve pro-serbe në parti dhe institucione të drejtuara po nga kjo parti.

Për të gjithë këta, kam një pyetje direkte: në cilin aspekt dhe konflikt rajonal maqedonasit solidarizohen me Shqiptarët? Në Shqipëri, maqedonasit solidarizohen me pozitat greke. Në Kosovë, mbajnë qendrimet serbe. Në Maqedoni, gjithnjë do ti japin përparësi afërsisë me turqit, boshnjaket, serbet se sa me Shqiptarët. Në të njëjtën kohë, nuk është më ndjenjë por fakt se lidershipi në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup kanë harruar rolin goxha të rëndësishëm të Bullgarisë në etapat e fundit para luftës në Kosovë. Pra, mbi çfarë logjike bazohet ky solidarizim njëdimensional me maqedonasit dhe distancim nga Bullgaria.

Në publikun Shqiptar (në Kosovë e Shqipëri posaçërisht) mungon dialogu shqiptaro – bullgar, mungon prezentimi i pozicioneve dhe shiqimeve bullgare mbi dhe për rajonin. Historia Shqiptare ka edhe nyjet e veta të errëta edhe me bullgarët. Qendrimet e Sofjes mbi shumë çështje nuk janë në të njëjtën frekuencë me Shqiptarët. Ashtu si që logjika “armiku-armikut-tim-është-mik” nuk mjafton dhe nuk duhet të jetë gurrëthemeli i pozicionit Shqiptar ndaj Bullgarisë.

Kjo mungesë mbulohet me favorizim të verzioneve Shqiptaro-Komuniste dhe ndikimin e Shqiptarëve të sistemit maqedonas që frustracionet familijare dhe preferencat filo-serbe mundohen t’i kamuflojnë nën përhapjen e sentimentit anti-bullgar. Kjo nuk duhet lejuar.

(Marrë nga profili i autorit në FB)