Jusuf Buxhovi:”Serbia duhet ta heq Kosovën nga kushtetua e saj…”

Intervistë me historianin dhe shkrimtarin z.Jusuf Buxhovi.
Intervistoi Selim Ibraimi nga Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit –(ISSDMaqedonia)
-Rreziqet për shtetin e Kosovës janë të shumëfishta dhe të pariparueshme njëherash, ngaqë rrezikon qenien e vet si shtet, të cilit i duhet konsolidimi në mënyrë që të tejkalojë me sukses sprovën e dëshmimit ndërkombëtar si një proces që avantura me Beogradin ia përmbysë seriozisht.
-Pozicioni shqiptarëve në Maqedoni, edhe pas Marrëveshjes së Prespës mbetet me tretmanin e pakicës, por tash si komunitet ! Edhe pse ndryshimi i emrit u përcoll me një retorikë se gjoja kjo “mundëson anëtarësimin në NATO e BE” e të ngjashme, megjithatë shqiptarët është dashtë dhe duhet të vazhdojnë të këmbëngulin,që gjuha shqipe të futet në kushtetutë si gjuhë e barabartë me maqedonishten. Kjo do t’i hapë rrugë normalizimit të raporteve politike dhe shoqërore në Maqedoni midis dy etnive, por si shtetformuese.Maqedonia mund të ketë përspektivë vetëm si shtet i barabartë i maqedonëve dhe i shqiparëve dhe assesi ndryshe…
ISSD: Z.Buxhovi, si e vlerësoni debatin për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Jusuf Buxhovi:Debati rreth ndryshimit të kufinjve midis Kosovës dhe Serbisë, i nisur nga Presidenti është jokushtetues, i dëmshëm politikisht dhe diplomatikisht. Në rrethana normale, presidenti do të thirrej para përgjegjësisë politike dhe penale.

ISSD: Z.Buxhovi, cilat janë rreziqet për shtetësinë e Kosovës? 

Jusuf Buxhovi:Rreziqet për shtetin e Kosovës janë të shumëfishta dhe të pariparueshme njëherash, ngaqë rrezikon qenien e vet si shtet, të cilit i duhet konsolidimi në mënyrë që të tejkalojë me sukses sprovën e dëshmimit ndërkombëtar si një proces që avantura me Beogradin ia përmbysë seriozisht.
ISSD:Z.Buxhovi, në mënyrë të veçantë, për të ecur përpara çfarë duhet të bëjnë Kosova dhe Serbia?
Jusuf Buxhovi:Kosova dhe Serbia, për të ecur përpara duhet që punën e parë ta lidhin me njohjen reciproke. Pra Serbia duhet ta njohë shtetin e Kosovës, që nënkupton që ta heq Kosovën nga kushtetua e saj, dhe po ashtu, Beogradi duhet të heq dorë nga instrumentalizimi i serbëve ekstremistë (Listës Serbe) për qëllimet e saj politike. Mbi këtë pozicion duhet të fillojnë bisedimet për normalizim, të cilat duhet të përfshijnë gjithë spektrin e çështjeve nga e kaluara, në mënyrë që dy shtetet të arrijnë te një pajtim historik, që si parakusht duhet ta ketë edhe kërkimfaljen e Serbisë ndaj gjenocideve që ushtruan në Kosovë.
ISSD: Z.Buxhovi, çfarë ndikimi gjeopolitik mund të ketë rivendosja e kufijve të rinj për Maqedoninë dhe Bosnjën?
Jusuf Buxhovi:Po qe se do të lejohej që të ndryshonin kufinjt midis Kosovës dhe Serbisë sipas interesave serbe, kjo do të kishte domino efekt edhe në pjesët gjera, sidomos për Bosnjën e Hercegovinën, ku Beogradi pretendon të realizojë projektin për Serbinë e Madhe, dhe pse jo edhe për Maqedoninë, e cila përherë ka qenë në foksus të hegjemonizmit serbomadh. Pra, do të hapej Kutia e Pandorës me pasoja të paparashikueshme, gjithësesi tragjike për rajonin dhe me gjërë…Pra, po qe se do të fillohej ndryshimi me Kosovën, atëherë kjo hap edhe çështje të ndjeshme gjeostrategjike, meqë do të jetë Rusia ajo e cila, si aleate e Serbisë, rikthehet në rajon me pretendime të reja hegjemoniste…
ISSD: Z.Buxhovi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dhënë reagime të ndryshme. A ka ndonjë përçarje midis Uashingtonit dhe Brukselit? 
Jusuf Buxhovi:Administrata e Trumpit duket se ka disa “plane” tjera në rajon nga paraardhësit? Ndonëse Amerika zyrtare nuk ka ndryshuar qëndrimin pos që ka bërë të ditur se përkrah dialogun për normalizim, dhe se, do të shikojë edhe ndryshimet e mundshme që ato të jenë në përputhje me interesat amerikane, megjithatë lobi serb në Uashington është vu në veprim në saje të një “klime” që është përhapur në disas vende europiane për gjoja “normalizimin e raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit”, që do të mund të ishin të dobishme “për paqjen europiane”, gjë që mund të jenë vetëm një karrem serb për të fituar anëtarësimin në BE në kurriz të Kosovës!
ISSD: Z.Buxhovi, si e vlerësoni ju pozitën e shqiptarëve të Maqedonisë pas Marrëveshjes së Prespës?
Jusuf Buxhovi:Pozicioni i shqiptarëve në Maqedoni, edhe pas Marrëveshjes së Prespës mbetet me tretmanin e pakicës, por tash si komunitet ! Edhe pse ndryshimi i emrit u përcoll me një retorikë se gjoja kjo “mundëson anëtarësimin në NATO e BE” e të ngjashme, megjithatë shqiptarët është dashtë dhe duhet të vazhdojnë të këmbëngulin, që gjuha shqipe të futet në kushtetutë si gjuhë e barabartë me maqedonishten. Kjo do t’i hapë rrugë normalizimit të raporteve politike dhe shoqërore në Maqedoni midis dy etnive, por si shtetformuese. Maqedonia mund të ketë përspektivë vetëm si shtet i barabartë i maqedonëve dhe i shqiptarëve dhe assesi ndryshe…
ISSD:Z.Buxhovi, si e shihni të ardhmen e Ballkanit?
Jusuf Buxhovi:E ardhmja e Ballkanit shihet e lidhur ngusht me përspektivën që të gjitha vendet e saj të shohin një përspektivë europiane. BE dhe NATO duhet të heqin vijat e kuqe ndaj disa vendeve si dhe kritereve diskriminuese, veçmas ndaj Kosovës, në mënyrë që të gjitha ta shohin ardhmërinë atje. Po qe se kjo nuk do të ndodhë, atëherë në Ballkan mund të rikthehet “ruleti i njohur ballkanik”!.

 

 

Shënim:

Ndalohet  përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre. Bordi redaksional rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik, gjinor dhe social.
Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social, ndëretnik, ekonomik, politik dhe të sigurisë në interes të qytetarëve.
Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Pikëpamjet e autorëve dhe të ekspertëve të jashtëm jo gjithëherë pasqyrojnë linjën dhe politikën redaksionale të ISSDMaqedonia.