Për Serbinë, korrigjimi i kufirit është për ta bërë jorelevante aktin e shpalljes së pavarësisë…

Intervisitë me analistin e çështjeve të Ballkanit z.Haki Abazi.

Intervistoi Selim Ibraimi nga Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)

[box type=”info” align=”alignleft” ]Kjo klasë politike apo më mirë thënë ky klan politik që është shumë i limituar në kapacitete dhe kuptim të shtetformimit dhe funksionimit, nuk ka arritur të mbrojë dhe artikulojë interesin shtetëror nacional, por përkundrazi i është bashkëngjitur duke mundësuar grabitjen e aseteve dhe buxhetit të shtetit.  …Për shak të orientimit të Kishës Ortodokse dhe lidhjeve të partive radikale si që është VMRO-DPMNE-ja me interesa ruse, e bën të qartë faktin, se shqiptarët atje janë faktori i vetem i orientimit evroatlantik në Maqedoni. Kjo gjë duhet thënë publikisht dhe nuk duhet lejuar që të manipulohet. Gjithashtu mendoj se avancimi i pozitës së shqiptarëve në nivel kushtetues dhe shtet-formues është një hap drejt Maqedonisë evropiane të anëtarësuar në NATO. …Shqiptarët në Maqedoni dhe pozicioni i tyre është shumë më ë fuqishëm siç ka qenë në të kaluarën por duhet kapitalizuar politikisht dhe ekonomikisht e sidomos në shkollimin e kuadorove të reja. Maqedonët sikurse edhe serbët nuk janë përkrahës të mëdhenjë të BE-së dhe NATO-s.[/box]

***

ISSD:z.Abazi, si e vlerësoni debatin për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Haki Abazi:Korrigjimi i kufirit është ide që Serbia e ka kërkuar dhe shtyer që një kohë. Për Serbinë korrigjimi i kufinjve është për të rikthyer çështjen e statusit në tavolinë dhe ta bëjë jorelevante aktin e shpalljes së pavarësisë, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe aspekti më i rëndësishëm është i goditjes së shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe atyre që kanë qenë përkrahës të intervenimit të NATO-s në Kosovë, e këta janë bota demokratike perëndimore.

Rusia në anën tjetër nëpërmejt ndryshimit të kufinjve e ka përkrahur Serbinë sepse kjo krijon një presedan që mund të përdoret në ndarjen e Republikës Serbe dhe në rastin e Krimesë, Osetisë Jugore dhe Abkahzisë. Korrigjimi i kufirit është i pamundur të bëhet pa ndryshimin edhe të qyteteve dhe banorëve, e që e bën fundamentalisht fashist dhe antievropian në vlera.

ISSD: z.Abazi, cilat janë rreziqet për shtetësinë e Kosovës?

Haki Abazi:Shteti i Kosovës është i rrezikuar nga krimi rajonal, politik, ekonomik, korrupsioni masiv dhe mungesa e plotë e pushteteve. Brengosja që Kosova nuk do të mundë ta mbajë veten ekonomikisht e që ka qenë një ndër arsyet që paraqiteshin si argument hezitues para pavarësisë është provuar të mos jetë reale. Qytetarët e Kosovës janë edhe punëtorë dhe paguajnë tatime dhe kanë një lidhje shume të fortë me diasporën. Krejt këto kanë bërë që në fakt qytetarët të paguajnë dhe të jenë shumë të durueshëm para dështimeve të klasës politike që kanë rrezikuar funksionimin e shtetit në aspektin institucional  dhe duke i keqpërdorur pozitat zyrtare. Mbi të gjitha Kosova është e rrezikuar nga gjeopolitika dhe politikat ekonomike rajonale. Mbi Kosovën ka shumë aktorë që duan t’i marrin resurset dhe të keqpërdorin asetet e shtetit për interesa të tyre. Kjo klasë politike apo më mirë thënë ky klan politik që është shumë i limituar në kapacitete dhe kuptim të shtetformimit dhe funksionimit nuk ka arritur të mbrojë dhe artikulojë interesin shtetëror nacional, por përkundrazi i është bashkëngjitur duke mundësuar grabitjen e aseteve dhe buxhetit të shtetit.

ISSD: z.Abazi,në mënyrë të veçantë, për të ecur përpara çfarë duhet të bëjnë Kosova dhe Serbia?

Haki Abazi:Kosova dhe Serbia janë fqinjë por që të dyja në forma të ndryshme janë të zhytura në krim dhe korrupsion. Shtresat e krimit dhe korrupsionit janë shumë shtresore  dhe shumë të thella në Serbi bashkë me fajin dhe përgjegjësinë e luftrave në Ballkan dhe që bën shumë më të vështirë për Serbinë të trasformohet dhe të reformohet. Populli serb është popull që nuk ka shpirt demokratik dhe përcjellë qorrazi agjendën shtetërore që përcaktohet në forma jotrasparente dhe me llogari të bëra në Moskë dhe me agjendë të Kishës Ortodokse. Ka numër shumë të vogl të serbëve që kanë orientim evropian, ata as nuk e duan Evropën e as nuk ndjehen evropian. Ata e urrejnë NATO-n dhe ky kombinim është vështirë i tejkalueshëm. Por për këtë orientim të Serbisë, Kosova ka paguar faturat edhe në të kaluarën edhe tani. Bashkimi Evropian duke mos tentuar që kushtimisht thënë ta hidhërojë Serbinë dhe të bartë pasojat e një aleance të hapur serbo-ruse, ata kanë toleruar Serbinë që të jetë destruktive dhe në të njëjtën kohë BE nuk ka kërkuar llogari për krimet e bëra nga Serbia dhe përgjegjësinë për destabilizimin e Malit të Zi, Maqedonisë, mbajtjes peng të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe natyrisht për politikat fashiste kundrejt Kosovës. Kjo formë e tolerimit duhet të përfundojë, Serbia duhet të lihet vetë të zgjedhë nëse do të jetë shtet evropian apo satelit i Rusisë në Ballkan. Shqiptarët nuk munden më të bartin këtë barrë të kontrollit dhe balancit për Serbinë. Në anën tjetër, Kosova duhet të lejohet që të riorganizoje strukturën politike. Deri më tani EULEX-i ka toleruar një klasë politike të nisur në kohën e UNMIK-ut me idenë e stabilitetit dhe përdorimit të individëve të caktuar që kanë probleme me ligjin  dhe kështu për të ruajtur stabilitetin por edhe për të pasur një formë të diciplinuar ndaj Serbisë. Kosova është e kapur nga një grup i njerzëve të udhëhequr nga Thaçi dhe grupi i tij i njohur “Pronto” e që kanë përfituar nga privatizimi dhe buxheti i Kosovës që më shumë se dhjetë vite, por edhe para shpalljes së pavarësisë. Këta njerëz kanë shkatërruar sitemin elektoral, kanë keqpërdorur Gjykatën Kushtetuese dhe kanë kapur edhe hapësirën mediale duke varfëruar Kosovën dhe duke rritur ndikimin e tyre nëpërmjet fondeve qeveritare dhe punësimeve të mëdha  nëper institucione dhe ndërmarrje publike për të kontrolluar votën.

ISSD: z Abazi, çfarë ndikimi gjeopolitik mund të ketë rivendosja e kufijve të rinj për Maqedoninë dhe Bosnjën?

Haki Abazi:Ndryshimi i kufinjve për Bosnjën është katastrofë dhe një fitore e gjenocidit dhe realizimit të Serbisë së Madhe. Për Maqedoninë sigurisht që do të ketë ndikim, sepse nuk e besoj që shqiptarët në Maqedoni do të pranonin që pas Republikës Serbe të mbesin pjesë e një shteti artificial të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. D.m.th., efekti zinxhirorë do të ishte shumë i madh dhe shumë i rrezikshëm.

Këtu mendoj se ka një skenarë të tillë  që shqiptarët do të akuzoheshin kinse po tentojnë të bëjnë bashkimin e trojeve të bashkuara me shqiptarë.Në parim, ky proces do të sjellë përfundimisht drejtësi në Ballkan dhe do të përmirësonte gabimet e Fuqive të Mëdha që e kanë bërë në konferenca të ndryshme kur kanë lejuar ndarjen e shqiptarëve në pesë shtete dhe shfarosjen e e tyre nga Greqia.Por, ideja e shteteve monoetnike ka kaluar, dhe këtu unë mendoj që shqiptarët kanë bërë kompromisin e madh për paqen dhe dëshirojnë që bashkimi dhe bashkëpunimi rajonal të bëhet në Bashkimin Evropian.Kjo si garanci do të ishte e majftueshme, por nëse secili shtet tjetër në Ballkan drejtohet në realizimin e kufinjve monoetnik, atëherë sigurisht që duhet rishikuar edhe përkushtimi i shqiptarëve për mosprishje të kufinjve, por jo për shkak të Serbisë por përshkak të interesave ekonomike shqiptare në rajon.

ISSD: z.Abazi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dhënë reagime të ndryshme. A ka ndonjë përçarje midis Uashingtonit dhe Brukselit?

Haki Abazi:Lojrat me kufinjtë në Ballkan janë lojra të rrezikshme, të gjitha luftërat që janë bërë në Ballkan përfshirë edhe këto të fundit të gjitha kanë qenë për kufinjë dhe resurse dhe jo për njerzit. Njeriu është konsderuar si asgjë. SHBA dhe BE e kuptojnë mirë se çka ështe qëllimi i Serbisë dhe Rusisë me këtë ndryshim të kufinjve. Edhe pse mund të ketë nuanca në qëndrime, mendoj që SHBA, Gjermania dhe Britania e Madhe, janë në vijë të njëjtë dhe nuk pranojnë ndryshim. Bashkimi Evropian ështe strukturë e re burokratike dhe nuk ka peshë në proceset gjeopolitike. BE nuk është pronë e burokrateve por anëtarëve të BE-së dhe qytetarëve të Evropës dhe kjo e bënë BE-në shumë të vogël për tu marrë me një çështje kaq komplekse si  që është Ballkani.

ISSD: z.Abazi, si e vlerësoni pozicionin e shqiptarëve të Maqedonisë pas Marrëveshjes së Prespës?

Haki Abazi:Shqiptarët në Maqedoni dhe pozicioni i tyre është shumë më ë fuqishëm siç ka qenë në të kaluarën por duhet kapitalizuar politikisht dhe ekonomikisht e sidomos në shkollimin e kuadorove të reja. Maqedonët sikurse edhe serbët nuk janë përkrahës të mëdhenjë të BE-së dhe NATO-s. Përshak të orientimit të Kishës Ortodokse dhe lidhjeve të partive radikale si që është VMRO-DPMNE-ja me interesa ruse, e bën të qartë faktin, se shqiptarët atje janë faktori i vetem i orientimit evroatlantik në Maqedoni. Kjo gjë duhet thënë publikisht dhe nuk duhet lejuar që të manipulohet. Gjithashtu mendoj se avancimi i pozitës së shqiptarëve në nivel kushtetues dhe shtet-formues është një hap drejt Maqedonisë evropiane të anëtarësuar në NATO. Ky do të ishte  një hap i duhur drejt organizimit konfederal/ kantonal të Maqedonisë të tipit të Zvicrës.

ISSD:z.Abazi, si e shihni të ardhmen e Ballkanit?

Haki Abazi:Shikuar nga perspektiva e kaluares dhe historisë, e ardhmja e Ballkanit nuk duket shumë e sigurt e as e qartë por nëse besojmë në mudësinë e kthesave të mëdha, atëherë gjithashtu është hera e parë në histori që Ballkani të bëhet pjesë e hartës politike të kontinentit të Evropës.

Kjo pjesë gjeografike e Evropës ka qenë gjithmonë fushëbetejë e interesave gjeopolitike dhe përplasjes së tre religjioneve kryesore të botës katolike, muslimane dhe ortodokse. Jo rrallëherë ndarjet dhe përkatësia religjioze është eksploatuar dhe keqpërdorur edhe në të kaluarën. Ndryshimi është, se qytetarët janë më të edukuar dhe arsimuar dhe nuk janë duke rënë pre- e përplasjeve armiqësore të orekstruara në kornizat religjioze e as etnike.

Kjo megjithatë nuk është e qëndrueshme sidomos duke pasur parasyshë rritjen e lajmeve të rrjeshme dhe përdorimin destruktiv të shërbimeve të inteligjences për interesa të individëve dhe portretizim destruktiv të kundërshtarëve politikë apo atyre rajonal.

Përjashtuar Serbinë dhe një pjesë të popullatës sllave të Maqedonisë, ekziston një disponim dhe përcaktim i hekurt i qytetarëve për integrim evropian dhe kjo gjë është shumë mirë dhe pozitive për Ballkanin.

Plakja e popullatës në Serbi dhe zvogëlimi i ambicieve luftarake por edhe vjetërimi i potencialit ushtarak- paisjeve, krijon hapësirë për shpresë.

Është shumë e qartë që luftërat tani nuk kanë kufinj, dhe si në të kaluarën mund të pritet që për interesa ekonomike dhe resurse përshkak të gjeopolitikave rajonale dhe globale të shkaktohen fërkime të reja. Pyetja është nëse Ballkani do të jetë pjesë e zhvillimeve pozitive dhe përfitues i globalizimit në kuptimin pozitiv apo do të jetë arenë dhe korridor i mallrave dhe njerezve nga Lindja në Perëndim e që do të forconte grupet ilegale të cilët do të mbanin shtetet peng. Nevojitet një angazhim i përgjithshëm i klasës intelektuale të mirëfilltë në Ballkan- në të gjitha shtetet në mënyrë që Ballkani të orientohet drejt zhvillimeve pozitive dhe përfundimit përmbajtësor dhe jo kozmetik të proceseve euroatlantike.

Nëse kjo gjë nuk ndodhë, atëherë një rajon i kontrolluar nga krimi dhe mafia do t’i ngjasonte Italisë Jugore edhe nëse do të përfshihej në Bashkimin Evropian. Në këtë rast, besoj që ikja e trurit dhe përzgjedhja e njerzëve të shkolluar e me mudësi në Evropën Perëndimore, do të jetë trend ë pandalëshëm.

 

Shënim:

Ndalohet  përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre. Bordi redaksional rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik, gjinor dhe social.
Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social, ndëretnik, ekonomik, politik dhe të sigurisë në interes të qytetarëve.
Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Pikëpamjet e autorëve dhe të ekspertëve të jashtëm jo gjithëherë pasqyrojnë linjën dhe politikën redaksionale të ISSDMaqedonia.