Analizë nga Selim Ibraimi – 19 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia ende jeton me kujtimet e konfliktit dhe vazhdimin e mosmarrëveshjeve të brendshme. Disa koncepte janë testuar nga partitë dhe qeveritë në Maqedoni, por nuk kanë treguar rezultate konkrete në jetën e përditshme dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Situata mbetet e ngrirë.

Gjatë gjithë kësaj kohe, BDI e Ali Ahmetit mbeti në pushtet pothuajse nga viti 2002 dhe promovoi një politikë paqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, por sipas analistëve, ajo nxiti një kulturë të nepotizmit, klientelizmit dhe korrupsionit, duke pomovuar grupe të interesit në të gjitha institucionet.

Opozita shqiptare vazhdon të jetë e pafuqishme në përfaqësimin e interesave të votuesve shqiptarë. Përkundrazi, opozita është e interesuar të shpërndajë fuqinë e saj në qeveri dhe të vendoset lehtësisht në qeveritë e ardhshme të Maqedonisë së Veriut. Sipas vrojtuesëve, opozita mbetet pjesë e lojërave politike të ish kryeministrit Zaev.

Ndërkohë midis maqedonasve kemi një vazhdim të akuzave të vjetra midis LSDM-së dhe VMRO-së. Gruevski u largua nga pushteti, ndërsa Zaevi gjithashtu dështoi të fitojë popullaritet të gjerë në mesin e elektoratit maqedonas. Zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë dhe nënshkrimi i Marrëveshjes me Bullgarinë nuk e rriti reputacionin e Zaevit në vend.

Edhe pas 19 vjetësh dhe më keq gjatë pandemisë, mosmarrëveshjet, përçarjet shoqërore dhe etnike vazhdojnë në Maqedoni. Komuniteti ndërkombëtar ka dhënë ndihma dhe fonde për të menaxhuar krizën COVID-19, por situata mbetet e brishtë. Qeveria e re pritet të ndërmarrë hapa për të përmirësuar situatën e vështirë.

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 me ndërmjetësim ndërkombëtar. Vendi gjithashtu do të fillojë bisedimet me BE-në në vjeshtë. Maqedonia u bë anëtare e NATO-s në pranverën e vitit 2020. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)