NGA SELIM IBRAIMI- Si zakonisht politikanët shqiptarë të Maqedonisë Veriore kur janë në opozitë e kanë gojën plot me kërkesa dhe ide se çfarë ju mungojnë shqiptarëve të MV-së dhe kur vinë në pushtet vështirë se zgjidhin ndonjë çështje qoftë të vogël dhe të drejtë. Duke filluar me statusin juridik e deri tek punësimet e pabarabarta këta drejtues partish kanë premtuar se do t’i zgjedhin.
Nga PPD-ja e Alitit dhe deri tek partia e fundit e cila u bë pjesë e koalicionit të LSDM-së, Besa, premtuan aq shumë, sa që kur erdhën në pushtet dhe morën disa ministri dhe drejtori, kërkesat as që i kanë përmendur. Partitë dhe liderët e tyre janë larg plotësimit të pikave programore dhe nevojave të qytetarëve-anëtarësisë e jo më të të drejtave kombëtare.
PPD-ja e Alitit dhe partitë pas tij, synonin rrugën institucionale të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve shqiptaro-maqedonase. Por këtë dëshironin ta bënin me një grup komunistësh të vjetër të ish sistemit të veshur me këmisha të demokratit. Një grup i partisë u kompromentua nga sigurimi dhe Gligorovi.
Të njëtën gjë nuk e bëri as PDSH-ja, politika e së cilës u ndërpre nga konflikti i vitit 2001, me idetë djaloshare të Ali Ahmetit dhe programit ideologjik të LPK-së. Pas konfliktit, partia e tij përfundoi me 20 vite pushtet dhe pothuajse asnjë pikë e ideve të shpalluara në viti 2001 dhe 2002 nuk u plotësua. Hyrja e figurave të PPD-së komuniste në BDI, edhe më shumë e njëllosi këtë parti. Sipas analistëve, gjendja aktuale tregon se partia e Ahmetit drejtohet nga një brum komunistësh të vjetër me elementë të procesuara të të rinjve, të familjeve ish komuniste dhe të grupeve që fitojnë pozita në bazë të klaneve financiare dhe afërsisë së ngushtë me liderin-partinë.
Për partitë tjera opozitare shqiptare të mos flasim. Kanë qenë dhe janë aktive disa parti që kanë fituar nga një ministri apo dy në kuadër të marrëveshjeve personale të liderëve me partitë më të forta qofshin ato shqiptare ose maqedonase. Shkrirja e partive pa identitet në partitë e mëdha është më e lehtë. Rasti konkret është me partië “Besa” e cila premtoit shumë në fushatat zgjedhore. Kur ishin bashkë me Shkupin sot e quajtur partia “Alternativa”, kërkonin zëshëm ridefinimin e shtetit. Tani po luftojnë për mbijetësë në skenën politike duke mos përmbushur asnjë pikë nga programi dhe duke shpresuar në situatat e shpëtimit të rejtingut partiak dhe personal.
Këto nuk janë të vetmet parti që sillen pa kurs dhe nuk kanë kompas politik. Nga projekte të padefinuara mirë, partitë shqiptare bashkë me liderët përfundojnë në kërkesa të ulta që as edhe ato ekonomike nuk mund t’i realizojnë. Kjo është e ashtuquajtura “politikë” e shqiptarëve të MV-së, e cila ka arritur një gjë: “Të bëjë shpërnguljen masive të popullatës nga Prespa e deri në Kumanovë”. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)
[box type=”shadow” ] Selim Ibraimi –është një analist shqiptaro-amerikan i politikës ndërkombëtare dhe studiues i çështjeve të Ballkanit. Ai u diplomua për gazetari (BA). Ai mban një diplomë master (MA) në marrëdhëniet ndërkombëtare nga Universiteti Webster, Scott Air Force Base në Shtetet e Bashkuara. Ibraimi jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara dhe Maqedoni. Ai është drejtor i Institutit për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim – Maqedoni (ISSDM). Ibraimi është autor i disa librave dhe botimeve për Ballkanin. Paqja e Ftohtë (10 vjet rikonfigurime gjeopolitike në Ballkan) -2016. Territori i luftës së heshtur (Trende dhe dinamika të reja gjeopolitike në Evropën Juglindore) -2018. Beteja vendimtare (Murtaja e ndryshimeve kufitare në Ballkan) -2019. [/box]