Dinamikat politike tregojnë se Zaevi dhe Ahmeti mund përfundimisht t’i rrumbullaksojnë bisedimet

Analizë nga Selim Ibraimi- Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut duket se është afër të shpallet nga partnerët LSDM dhe BDI. “Dy” lojtarët e politikës post grueviste Zoran Zaevi dhe Ali Ahmeti, po bëjnë përpjekje për t’i harmonizuar qëndrimet rreth pozicionit të kryeministrit dhe ministrive në qeverinë e ardhshme.

Pas një tensioni disa javor elektoral në mes Ahmetit dhe Zaevit, të dy drejtuesit po bisedojnë për të formuar qeverinë dhe ecur drejt reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Kundërshtarët politikë të BDI-së , Aleanca e Shqiptarëve e Ziadin Selës dhe Alternativa e Afrim Gashit , kanë bërë të njohur se nëse Ahmeti nuk e merr pozitën e kryeministrit, si parti (BDI) duhet të tërhiqet prej bisedimeve. Mirëpo, një gjë e tillë vështirë se do të ndodhë.

Në një konferencë shtypi , një zyrtarë i Alternativës tha se nuk kanë biseduar zyrtarisht me Zaevin për hyrje në qeveri. Gjithashtu Aleanca e Shqiptarëve nëpërmes një zyrtari në media tha se BDI dhe LSDM po bëjnë një teatër politik dhe ata kanë një shumicë të ngushtë parlamentare. Dinamikat politike tregojnë se LSDM dhe BDI mund përfundimisht t’i rrumbullaksojnë bisedimet në 10 ditët në vijim dhe sipas vlerësimeve disa parti shqiptare do të mbesin në opozitë. Në përbërjen e re qeveritare, përveç BDI-së  dhe LSDM-së, janë edhe PDSH-ja e Menduh Thaçit dhe Besa një parti që hyri në koalicion me LSDM në pranverë dhe fitoi në zgjedhjet e korrikut katër deputetë.

Maqedonia e Veriut lëngon nga mungesa e shtetit të së drejtës, sistemi i shkatërruar i shëndetësisë, papunësia e madhe, tensionet ndëretnike, papërgjegjësia politike, nepotizmi dhe korrupsioni politik. Në vjeshtë vendi duhet të fillojë hapjen e kapitujve me BE-në.

Pandemia gjithashtu e ka gjunjëzuar vendin dhe ekonominë, duke e rritur varfërinë dhe shtimin e zërave për keqpërdorime të ndihmave ndërkombëtare që vijnë në Maqedoninë e V. Qeveria e re ka shumë punë për të bërë. (ISSDMaqedonia- @CSSDMacedonia)