Koment nga Selim Ibraimi, Uashington- Ziadin Sela lideri i Aleancës së Shqiptarëve (ASH) që gëzon autoritet brenda dhe jashtë për lëvizjet gjatë rrëzimit të Gruevskit në vitin 2017 ka mjaft çështje të hapura në vendin e tij. Me 12 deputetë nga koalicioni i përbashkët me Alternativën e Afrim Gashit (AAA), Sela para vetes ka disa dilema që kërkojnë aksion dhe vendosje të përparësive se çka më tej në Maqedoninë Veriore.

Pasi qeveria e kryeministrit Zaev po ndeshet me probleme serioze dhe mungesë numrash në Parlament, nga Ziadin Sela opinioni kërkon që ai të jetë më serioz gjatë 2021, vit që elektorati i tij pret shumë nga ASH dhe AAA. Pandemia, politikat e gabuara të koalicionit qeveritar bashkë me rënien ekonomike dhe padyshim duke mos i harruar rastet e montuara dhe diskriminimin, janë hapësira ku partia e tij pas zbutjes së krizës pandemike do të duhej të dalë jashtë zyrave dhe të organizohen për zgjedhjet lokale.

Përveç kumtesave dhe përdorimit të mediave sociale, riorganizimi i degëve dhe nëndegëve partiake do të jetë vendimtare për fitoren e vjeshtës apo humbjen e partisë. Pasi koalicioni ASH-AAA do të ketë kundërshtarë pothuajse të gjithë qeverinë, Sela është mirë që tani të fillojë të tregohet serioz dhe se dëshiron të jetë në qeveri dhe të marrë pushtetin lokal.

ASH-ja do të luftohet nga të gjitha anët, duke filluar nga miqtë e dikurshëm të L. Besa, aleatët dhe besatarët e sotëm të Zaevit të cilët do të garojnë me kandidatë për të prishur balancën në mes BDI-së dhe ASH dhe dërguar vota tek LSDM-ja apo BDI-ja. Andaj Sela dhe grupi i tij duhet t’i japin fund lodhjes së kotë të vizitave në Kosovë.

Veprimi në Maqedoninë Veriore dhe konkretizimi i lëvizjeve brenda me një informim në kohë të partnerëve ndërkombëtar për gjendjen në Maqedoninë e Veriut dhe forcuar pozitat jashtë ashtu siç e bën qeveria dhe shoku Zaev në Washington ku edhe dështimet ia quajnë suksese, është strategjia e duhur që duhet partia dhe vetë ai ta vendosin në zbatim këtë vit. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)