Derek Chollet bisedoi me Kurtin dhe Vuçiçin, premtoi mbështetje amerikane

Këshilltari i Departamentit të Shtetit Derek Chollet ka biseduar sot para takimit të së shtunës në Ohër me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.
“Bisedova me kryeministrin Albin Kurti për bisedimet e nesërme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE. Zbatimi do të zhbllokojë gjendjen dhe do të ketë përfitime të rëndësishme për të dy vendet dhe do të tregojë përkushtimin për një të ardhme paqësore për rajonin”.
“Bisedova po ashtu me presidentin Vuçiç. Ramë dakord për rëndësinë e angazhimit konstruktiv për propozimin e BE-së”. “Rikonfirmova mbështetjen e SHBA-së për dialogun e BE-së dhe përfitimet që normalizimi i marrëdhënieve do t’i sjellë Serbisë dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Diplomati i lartë i Departamentit të Shtetit Gabriel Escobar gjendet në Ohër, ku së bashku me diplomatët e BE-së do të përpiqen të përfundojnë bisedimet për anekset e një marrëveshje të mundshme në mes Kosovës dhe Serbisë. Escobar nuk ka dhënë shumë garanci se mund të ketë marrëveshje përfundimtare në Ohër.

(S.I. @CSSDMacedonia)