Ballkani në botën post-amerikane

Nga Selim Ibraimi- (Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit-Maqedoni (ISSD)

Drejtoria Inteligjente Kombëtare e Amerikës theksoi në vitin 2012 se pas dy dekadave, bota nuk do të jetë më unipolare, por do të karakterizohet nga rritja e fuqive të shteteve tjera, por megjithatë Amerika, do të mbajë statusin e “primus inter pares”.
 Katër mijë trupa amerikane dhe maqineri e rëndë ushtarake kanë zbarkuar nga Baltiku në Bullgari si kundërpërgjigje ndaj politikave ekspansioniste të presidentit rus Vlladimir Putin.Mirëpo pas inaguarimit të presidentit të posazgjedhur amerikan Donald Trump, janari mund të sjellë një rend të ri jo vetëm në arkitekturën e sigurisë së Europës dhe Ballkanit.

Hyrje

Kërcënimet e jashtme që prekin sigurinë kombëtare të Uashingtonit, mund të çojnë që pozicioni amerikan të ndryshojë, por duhet vënë në dukje se përgjatë historisë së Amerikës, çështjet ekonomike, krizat financiare, kanë ndikuar që politika amerikane, në faza të ndryshme të pësojë një farë izolimi për disa rajone të caktuara të botës. Por çfarë do të ndodhë me Ballkanin dhe shqiptarët në rast të një tërheqje amerikane nga Evropa apo të “rënies amerikane” në politikën botërore?

Amerika në politikën ballkanike dhe evropiane 

Në këto raporte, Fuqitë Botërore në të kaluarën, ndërtuan strategji dhe përçanë kombet e Ballkanit, mbi baza të kartës së identitetit etnik. Austro-Hungaria, Prusia patën një farë mirëkuptimi për kërkesat shqiptare për autonomi apo pavarësi dhe vazhduan përkrahjen edhe më vonë gjatë vlimeve rajonale.

Nuk vonoi shumë edhe Amerika, gjatë krizës evropiane dhe ballkanike 1919 – 1920 mbështeti shqiptarët në Konferencën e Parisit.

Kjo politikë vazhdoi pas viti 1991,pas një ndërprerje mëse 50 vjeçare, ku amerikanët zbarkuan të parët në Ballkan, duke vazhduar marrëdhëniet diplomatike me Tiranën, duke ndalë dhunën serbe në Bosnjë dhe ndihmuan Kosovën, disa vite më vonë të çlirohet nga trupat serbe.Angazhimin amerikan ushtarak dhe diplomatik në Evropë, e shohim aty kah viti 1917, një vit para përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Dështimi evropian për të përballuar gjermanët në të dy luftërat, bënë që Amerika të pushtojë Evropën, duke u bërë një mbështetëse e fortë për shtetet evropiane të Evropës Perëndimore.

Po ashtu konflikti ideologjik me Rusinë (BRSS) ndikoi që prania amerikane të ndjehet edhe në Ballkan, por duke lënë një zonë të zbrazët, që më vonë do të shërbejë si shkas për shpërthimin e konfliktit etnik dhe shkatërrimin e ish-Jugosllavisë.

Por, kriza aktuale në BE, e ka bërë të paqartë edhe një herë ardhmërinë e vendeve të brishta të Ballkanit Perëndimorë.Dëshirat e këtyre shteteve janë që të anëtarësohen në BE, por historia ka treguar dhe po dëshmon se ky rajon e ka të vështirë të lëvizë drejt trendëve ndërkombëtare.

Më shumë rajoni është zhytur në konflikte të brendshme dhe vetizolim, edhe atë si rezultat i vijave ndarëse etnike dhe ideologjike që e kanë karakterizuar Euroazinë.

Në këto rrethana historike, zbarkimi amerikan në Ballkan pas vitit 1995, si duket e qetësoi gjendjen dhe krijoi kushtet për një ardhmëri më tjetër në krahasim me atë çfarë ofroi Perandoria Romake, Bizantiane dhe Osmane.

Konfliktet ballkanike, që nga viti 1912 e deri më 2001, provuan se sa vështirë e kanë shtetet e Ballkanit të bashkëpunojnë dhe të integrohen në sistemin ndërkombëtar të politikës botërore apo evropiane.

Amerikanët pas vitit 1991, pra pas shkatërrimit të BRSS-së, mbetën fuqia e vetme në politikën ndërkombëtare,dhe ky status, bëri që Uashingtoni të veprojë lirshëm dhe të aprovojë një gjeopolitikë tjetër në Evropë dhe Ballkan.

Amerikanët për dy dekada vepruan ndryshe me popujt të cilët nuk kishin aftësi ushtarake dhe ekonomike të projektojnë forcë.Në krahasim me evropianët të cilët që nga viti 1500 i shtypën etnitë të cilët nuk gëzonin ndonjë status në politikën evropiane dhe ballkanike, amerikanët u dhanë mundësinë këtyre ideve-projekteve kombëtare, të zhvilloheshin në një ekuacion të ri gjeopolitik, për të ndihmuar zgjerimin amerikan në Ballkan dhe Azi.

Pra Uashingtoni zhvillonte politikë të marrëdhënieve speciale me këto shtete, që kërkonin ngritje ekonomike dhe shtetërore.Amerikanët balancuan kërkesat maksimaliste që vinin nga grupet nacionaliste me qëllimet e politikës amerikane, që kryesisht fokusohej në zbutjen e konflikteve,zbatimin e reformave demokratike dhe integrimin e rajonit në BE apo NATO.

Aktualisht është e pa qartë, se si rezultat i krizës botërore, apo ndonjë ndryshimi eventual në politikën e jashtme amerikane, çfarë gjendje do ta  përfshinte Ballkanin. Natyrisht ky vakum gjeopolitik që ka ekzistuar që moti, do ta kthente zonën në një fushëbetejë në mes BE-së, Rusisë, Turqisë dhe Amerikës.

Me zbarkimin e këtyre forcave, Ballkani do të pësonte ndryshime radikale dhe njëkohësisht do të shkaktonte luhatje në baraspeshën në mes popujëve, dhe me këtë do të krijohej një front tjetër më i gjerë, duke përfshirë këtu edhe aleatët euro-amerikan.Baraspesha në mes forcave do të lëkundej, dhe do të çonte rajonin në një situatë si para vitit 1878 apo do të sillte një gjendje që nuk do të ndryshonte si me atë të fillim shekullit të XX.

Pra, këtë lëvizje të forcave, është duke e parandaluar prania amerikane në rajon dhe depërtimi i thellë amerikan, për disa dekada në sistemin politik të Evropës i ka mënjanuar forcat anti amerikane.

Nacionalizmi evropian mund të ndryshojë çdo qasje graduale të integrimit të Ballkanit në BE. Edhe pse është mjaft i diskutueshëm anëtarësimi i shteteve të rajonit në këtë strukturë evropiane, Ballkani pa mbulesën amerikane do të kthehej në zona të interesit të Evropës së përçarë, Rusisë, Turqisë dhe së fundi të vetë shteteve ballkanike.

Depërtimi rus në Ballkan

Depërtimi rus në Ballkan është duke e bërë edhe më të paqëndrueshëm zhvillimin e Gadishullit. Luftërat ruso-turke dhe ato evropiane, të shekujve të kaluar, veçse na japin fakte, se Kremlini, do të vazhdojë të angazhohet për këtë zonë, pra të përpjekjeve, për të influencuar mbi politikat e disa shtete ballkanike.Tani nëpërmes infrastrukturës energjetike,investimeve në Maqedoni, Serbi duke përjashtuar investimet në Evropën Qendrore dhe Lindore, Kremlini mundohet të ndikojë mbi këto qeveri.

Si duket, Kremlini ka arritur t’i joshë këto shtete me dhënien e kredive dhe kalimit të linjave të gazit natyrorë nëpër këto territore (Serbi, Maqedoni).Përplasja me Amerikën bëhet në fushën e gjeopolitikës së energjisë, e jo të rikthimit apo konfrontimit klasik për Gadishullin.

Kjo gjendje nuk do të linte anësh Rusinë që duke e parë këtë zhvendosje amerikane, do të afrohej drejt zonës, me të gjitha kapacitetet ushtarake dhe ekonomike, duke shfrytëzuar linjat historike të komunikimit me shtetet anti demokratike të rajonit.(Shih më shumë “Kriza Lindore”)

Një argument më shumë, në Serbi, gjatë viteve të fundit në qytetin Nish, në afërsi të Luginës së Preshevës, territor i banuar me shqiptarë, u ndërtua një qendër inteligjente ruse, që sipas raporteve ka për qëllim të vëzhgojë aktivitetet amerikane në Ballkan. Këtu duhet të theksohen projektet ruse të gazit dhe kredive dhënë këtyre shteteve.

Ndoshta nuk përjashtohet mundësia e aktiviteteve ushtarake në rajon edhe kjo në të ardhmen mund të ndodhë, nëse vërtetë Uashingtoni, do të lëvizte drejt një ballafaqimi ushtarak-detar me Kinën dhe konfrontimi me Moskën do të ishte i detyruar i paevitueshëm për të mbrojtur investimin disa vjeçare në rajon.

Është e paqartë se si e kanë kalkuluar amerikanët këtë interes në Ballkan dhe si do ta kapitalizonin këtë menaxhim disa vjeçare të tyre si të tipit të intervenimeve humanitare-ushtarake dhe organizimit të konferencave ndërkombëtare për të zgjidhur konfliktet të shkaktuara nga zgjidhjet e padrejta historike të Evropës dhe fuqive tjera.

Deri tani përmendëm se çfarë Amerika po bën dhe si është duke e vëzhguar rajonin. Por çfarë në të vërtetë do të ndodhtë nëse Amerika, për shkak të problemeve të përmendura më lartë , do të vendosë që pas disa viteve, të përgatitet për një tërheqje graduale nga Ballkani, duke lënë në dorë shumë çështje, Evropës së fragmentuar, forcave apo aktorëve rajonal në ngjitje.

Shqiptarët dhe definimi rajonal

Në kuadër të “rënies amerikane” dhe shfaqjes së forcave të errta ballkanike, nuk vonoi shumë që të gjithë premtimet që i dhanë liderët e këtyre shteteve për një politikë stabile me shqiptarët, u humbën para dhe pas kremtimit të 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptarë.

Kur njëqind vite më pare, Ballkani, tokat shqiptare u shkelën dhe filluan të administrohen nga shtetet fqinjë, shqiptarët, u përballën me një krizë të thellë të organizimit politik, administrativ dhe ushtarak.

Kjo kishte të bënte me konfuzionin e përgjithshëm shqiptarë, që sundonte në atë kohë disa vite para shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe kryesisht kishte të bënte me orientimin strategjik të shqiptarëve në rajon.

Ky reflektim u vërejtë me depërtimin e thellë ushtarak dhe organizativ të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë në kryengritjet shqiptare apo në qeveritë që u formoheshin shpejtë dhe që nuk qëndronin gjatë në skenën e acaruar politike të asaj kohe.

Sot, këto marrëdhënie nuk kanë ndryshuar edhe përkundër stabilitetit që ka pësuar rajoni pas Marrëveshjes së Dejtonit, Kumanovës dhe Ohrit.Historikisht Ballkani, është ndikuar nga faktorët e jashtëm, pra nga gjeopolitika, që fshehurazi ka fragmentuar rajonin dhe ka thelluar ndasitë etnike dhe me këtë  ka shtuar përplasjet e Fuqive Botërore dhe atyre evropianëve për dhe rreth rajonit.

Shqiptarët para dhe pas vitit 1878-1912 -2012, si duket u vonuan në zgjimin kombëtarë për të formuar dhe artikuluar fortë kërkesat strategjike.Përveç anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, pavarësisë së Kosovës, pozitat e shqiptarëve kërcënohen nga aktorët jo shtetërorë.

Ndasitë në lëvizjen shqiptare drejt Lindjes apo Perëndimit si atëherë dhe sot janë si paradigmë në të gjitha qeveritë shqiptare, të cilët nuk mund të dalin me një strategji të përbashkët kombëtare.

Ky faktorë ka ndikuar që shqiptarët jashtë kufijve administrativë t’ju nënshtrohen politikave të qeverive të Shkupit, Podgoricës dhe Beogradit.Popullata e këtyre zonave është lënë nën manipulimin e forcave që kanë një legjitimitet të zbehtë kombëtarë dhe demokratik.

Historikisht në Ballkan, janë portretizuar liderë të dyshimtë, të cilët kanë pasur agjenda të caktuara politike dhe kanë zbatuar planet e shteteve ballkanike apo të Fuqive të Mëdha. Nuk është bërë e njohur deri më tani nëse shqiptarët a janë në kërkim të ndonjë gjeostrategjie tjetër.

Largimi amerikan nga Ballkani dhe pozita e shteteve të Ballkanit Perëndimor

Për më shumë, “tërheqja amerikane” do t’i linte shqiptarët në një pozitë jo të mirë, të cilët në fund të shekullit të XX krijuan një marrëdhënie speciale me Uashingtonin.Kufijtë në Evropë dhe në Ballkan kanë ndryshuar gjatë periudhave të ndryshme historike.

A nuk është e mundur që këto linja kufitare të ndryshojnë në të ardhmen?! A ishin interesat e Fuqive të Mëdha gjatë konflikteve ballkanike dhe evropiane të shekujve të kaluar që ndryshuan kufijtë dhe krijuan shtete të reja në Evropë dhe Ballkan?!

Duke parë rajonin dhe sistemin ndërkombëtar nga këto të dhëna historike, Ballkani do të ndryshojë edhe më shumë nga vetë kriza evropiane, pushtimi rus i Krimesë dhe nga politikat shtetërore-nacionaliste të cilat janë jashtë parametrave demokratik dhe të diplomacisë amerikane në Ballkan.

Aleancat që lidhen aktualisht në rajon, të kujtojnë marrëveshjet kundër popujëve para dhe pas pushtimit të Perandorisë Osmane të Ballkanit.Është e paqartë variabla se si do të vepronin shqiptarët në këtë vakum gjeopolitik, pa ndihmën e amerikanëve.

Ilirët- shqiptarët u ndanë në provinca nga Perandoria Romake, në vilajete nga Perandoria Osmane dhe së fundi pas vitit 1912-1913, u lanë nën pushtimet e huaja të shteteve fqinje. Kjo ndodhi sepse shqiptarët nuk kishin ndonjë sponsor të fuqishëm ndërkombëtar ku vendosej për problemet e rajonit.

Të dhënat nuk tregojnë se politika shqiptare po funksionon njëjtë në të dy anët e kufirit administrativ për të përballuar krizën eventuale që do të sillte kjo lëvizje amerikane në Evropë dhe Ballkan.Kosova dhe Shqipëria deri diku kanë bërë disa projekte të përbashkëta, por nuk ekziston ndonjë sistem unik i integrimit i të dhënave inteligjente, financiare etj.

Infrastruktura e rrugëve automobilistike, hekurudhave, nuk është mjaft e zhvilluar për të ballafaquar me këtë sfidë.

Shqiptarët në këtë krizë post-amerikane do të kërkonin ndihmë nga  evropianët, për të përballuar  politikat e shteteve fqinjë, por sipas ngjarjeve historike kjo do ishte shumë vështirë të zbatohej, për shkak të dallimeve në Evropën e krizës së brendshme dhe të shpërndarë në pikëpamje të politikës së jashtme dhe të sigurisë.Ballkani dhe Evropa, në këtë “anarki” post-amerikane, do të çonin gadishullin në një fazë që do të ndryshojë nga periudha, kur Austro-Hungaria, Gjermania, Rusia, Turqia u përleshën, për të fituar më shumë territore dhe kështu paralelisht sollën luftërat ballkanike dhe evropiane.

Në këtë fazë mund do të shohim një rritje të dominimit turk në rajon, për shkak të lidhjeve historike të rajonit me këtë shtet dhe tendencave turke për tu rikthyer me politikat ekonomike dhe diplomacisë së quajtur “zero probleme me fqinjët”.

Këtu duhet të kemi kujdes, nëse Turqia do të përdorë politikën e njëjtë të selektimit të miqve dhe armiqëve, duke rreshtuar shpeshherë kundërshtarët në pozicione më të përshtatshme gjeopolitike. Ndërkohë Serbia, Mal i Zi, Maqedonia dhe Greqia do të zbatonin një koncept të njëjtë ndaj pjesës latine të Gadishullit.

Pra këto shtete nuk kanë çfarë të ndryshojnë, kur është në pyetje pozicioni shqiptarë, dhe këtu është shtuar vetëm një aktor, Maqedonia. Këtë faktorë duhet trajtuar në mënyrë specifike, se si në këtë lojë të balancimit të forcave, Maqedonia, qeveria është duke i dëmtuar proceset dhe politikat që bashkësia ndërkombëtare i ka vënë për këtë republikë të brishtë.Duket se çdo “rënie amerikane” në rajon do të pritej mirë nga këto shtete të lartpërmendura.

Depërtimi serb në Maqedoni, në pjesën veriore të Kosovës, Bosnjë nuk tregon se  kemi politikë kombëtare, që do t’i kundërshtonte këto forca.Forcat politike shqiptare nuk janë të angazhuara në drejtim të hartimit të një strategjie kombëtare, të mbushjes së vakumit që do të krijohej poqese amerikanët do të tërhiqeshin.Tani për tani Shqipëria dhe Kosova kanë si përparësi integrimin në BE, kjo e fundit edhe në NATO, dhe thonë se fuqizimi-bashkimi kombëtarë do të arrihet në BE.

 

Por çfarë do të ndodhë nëse projekti drejt BE-së, së bashkuar do të dështonte apo vetë BE dhe Eurozona do të shkonin drejt kolapsit?!Kur amerikanët do të ishin larguar nga rajoni, ideja për unitet në BE të ketë dështuar, Ballkani i fragmentuar dhe i sunduar nga forcat regresive, atëherë Rusia dhe Turqia do ta mbushin këtë vakum, duke angazhuar edhe aleatët lokalë.

Por siç do herë ngel konstante variabla se si do të gjendeshin shqiptarët në këto rrethana përkrah politikave të qeverive ballkanike dhe duke i marrë parasysh këto dilema, si do të vepronin qeveritë shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë?!Është e njohur pra se këto forca, do ta mprehin edhe më shumë Ballkanin dhe pozitën e shqiptarëve atje.Si do që të jetë largim apo prani e konsiderueshme amerikane në rajon, qeveritë shqiptare duhet të përgatiten për një trend apo –rregull të ri rajonal dhe ndërkombëtar.

Le të shpresojmë që Amerika, të vazhdojë të mbajë hegjemoninë në sistemin ndërkombëtar dhe të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm ashtu si më parë në të gjitha qendrat e vendosjes dhe se nuk do të vijë deri tek sistemi ndërkombëtar që do të karakterizohej nga multipolariteti i skajshëm.Aktualisht Amerika, është fuqi e vetme që mund të projektojë forcë në të gjithë globin, ka një ekonomi më të madhe dhe gjeografi që nuk mund ta shohim në vendet tjera që pretendojnë ta kundërshtojnë apo konkurrojnë atë.

Megjithatë rend i ri ndërkombëtar me forca të reja, është krijuar edhe në të kaluarën, dhe këtu më së shumti e kanë pësuar kombet-popujt që nuk kanë pasur kapacitete që të përballojë këtë rregull apo të kundërshtojnë forcat rivale rajonale dhe globale.Së fundi në këtë ekuacion hynë të gjithë ata që jetojnë në Ballkan, pra edhe shqiptarët, të cilët përveç amerikanëve dhe deri diku gjermanëve, janë të rrethuar me kundërshtarë, të cilët historikisht kanë bërë përpjekje që të pushtojnë më shumë territore.

Ndryshimet në marrëdhëniet ndërkombëtare-sistemin, do ta prekin padyshim Ballkanin dhe shqiptarët.Njëkohësisht do të rriten rivalitetet rajonale dhe të atyre të Fuqive të Mëdha. Së fundi, bota dhe politika ndërkombëtare do të ishte me keq pa Amerikën si lider në të të gjitha çështjet dhe krizat botërore.

NOTE: This article first was published on November 12, 2012
.Because of emergence of Russia and new policies of the U.S. President Donald Trump, the CSSD editorial team decided to re-print the analysis for our readers in Albanian language. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

* Copy This Password *

* Type Or Paste Password Here *