Thellësia e zgjerimit

Selim Ibraimi – Qendra e Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit- (CSSD)

 

Abstrakt 

Zgjerimi i ri turk është duke kaluar nëpër vështirësitë dhe përvojat e së kaluarës historike të popujve të rajonit me Perandorinë Osmane. Disa forca nuk e duan këtë fuqizim e ca të tjerë e shohin këtë lëvizje nga këndi bashëkohor i zhvillimit dhe integrimit të rajonit. Megjithatë në këtë monografi gjeopolitike synonj të zbërthejë disa veprime të politikës së jashtme shumë deminsionale turke dhe të ndriçojë disa fakte aktuale të gjeopolitikës turke mbi shtetet e rajonit. Rikthimi ekonomik i Ankarasë në gadishull është duke u bërë në mes kundërshtimeve dhe pranimeve të politikave rajonale. Bashkëpunimi duhet të zhvillohet në interes të dy palëve apo të një platforme mirë të organizuar pa tendenca të dominimit të palëve në raportet ndërshtetërore. Në fund besoj se zhvillimi ekonomik dhe teknologjik turk duket të shihet në syrin e një marrëdhënie shumë palëshe me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.Largimi nga këto principe ndërkombëtare  do të krijonte trende negative për vetë Ankaranë dhe ekonomitë ballkanike.

 

Hyrje

Përpjekja e dytë historike e Turqisë për tu bërë fuqi rajonale e rangut të mesëm nën sponsorimin amerikan mund të themi se ka filluar edhe është duke e influencuar rajonin me të gjitha mjetet e strategjisë ekonomike, politike dhe kulturore.

Do të përkeqësohet situata, nëse në Evropën e ballafaquar me krizë politike dhe financiare, Bashkimi Evropian (BE) dhe Turqia, përshkak të lidhjeve historike dhe gjeografike me Ballkanin do të ndesheshin përsëri në gadishull.

Këtu kemi të bëjmë me një rast kontradiktor, përshkak të historisë së Evropës Juglindore me Turqinë dhe rolit aktual të diplomacisë turke në rajon gjatë viteve të fundit.

Andaj një shekull nga largimi i Turqisë dhe fillimit të luftërave ballkanike, politika e jashtme e  Turqisë përsëri po shtrihet në të gjithë gadishullin, duke e lëvizur këtë doktrinë, sigurtë dhe me shumë lehtësi në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Është në duart e qeverive të Ballkanit të pranojnë këtë rol të ri të Turqisë apo ta refuzojë këtë politikë të jashtme ekonomike, që sipas disa kritikëve nuk është duke i marrë aq shumë në konsideratë tensionet ndëretnike dhe shtetërore të cilët i kanë karakterizuar popujt e rajonit që nga koha kur perandoria u shpërbë.

Megjithatë trajtimi i po këtyre çështjeve në formë selektive do ta vështirësojë edhe më shumë praninë e “diplomacisë së butë” turke në rajon. Në kuadër të diplomacisë shumë dimensionale turke, duhet thënë se gjatë Luftës së Ftohtë ,Turqia i ka mbajtur mjaft mirë marrëdhëniet më shtetet e Ballkanit dhe kjo hyrje kaq lehtë e Ankarasë në Ballkanin e pas vitit 1991 nuk daton vetëm nga koha kur osmanët depërtuan këtu, por edhe nga baza e zhvillimit të raporteve me popullësinë  vendore dhe shtetet ballkanike që nga viti 1952 (Sayari, 2000)

Ky shpejtim dhe ndryshim i madh në politikën e jashtme turke ndoshta lidhet me fitoren e thellë të partisë së Erdoganit (AKP) në zgjedhjet e 2003 dhe 2007. Pra mund të themi se qeveria aktuale i ka dhënë një pamje tjetër politikës së jashtme në Ballkan dhe Azi (Murat, 2009).

 

Pozita gjeografike e Ballkanit dhe Fuqitë e Mëdha

 

Nëse përpiqemi të shohim pozitën gjeografike të Ballkanit, do të vërejmë se pozicioni rajonal dhe global ku kalojnë rrugët tokësore dhe detare, shpeshherë është kthyer në arenë lufte nga ana e fuqive botërore dhe evropiane, për të kontrolluar këtë bosht strategjik global, dhe si pikë ku mund të vëzhgohet dhe dominohet një pjesë e mirë e Lindjes së Afërt.

Deti Adriatik, Jon, ngushtica e Bosforit, Dardaneleve, lumejtë navigues Sava, Danubi dhe Morava kanë bërë që rajoni historikisht të fitojë rëndësi strategjike dhe të bëhet tërheqës për gjatë shekujeve për perandoritë dhe fuqitë e mëdha.

Kështu duke e parë rajonin dhe sistemin ndërkombëtar nga këto të dhëna historike dhe gjeografike, dyshoj se shtetet e brishta të botës post-komuniste do të mund aq lehtë t’i keqësojnë marrëdhëinet me Ankaranë dhe të rishikojnë zgjidhje tjera strategjike.

Zgjerimi turk drejt veri- perëndimit është duke u bërë ashtu njëjtë si shekuj më parë kur osmanët pushtuan zonën. Aktualisht këtë politikë zgjeruese që e ka nisur Ankaraja, ka të ngërthyer në vete elementë të “diplomacisë së butë” apo të politikës së quajtur “zero probleme me fqinjët”. Pra nuk kemi të bëjmë më vërshim klasik të këmbësorisë drejt Ballkanit.

Në Ballkan, edhe përkundër problemeve me të cilët ballafaqohen këto shtete të dobëta,Turqia tani e ka më lehtë të veprojë në vakumin e ri gjeopolitik.

Sipas ekspertëve Turqia që nga viti 1992 është duke zbatuar politikë të jashtme selektive me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.Ndërkohë Franca dhe Gjermania kanë shprehur haptazi kritika dhe kanë vendosur kushte edhe më të rënda të anëtarësimit të Ankarasë në klubin europian.Pa ndonjë paragjykim mund të themi se e kanë bllokuar këtë anëtarësim të Turqisë në Bashkimin Evropian (Albert & Walter, 2009)

Nga pikëpamja e rolit turk në organizatat ndërkombëtare që janë marrë me krizën ballkanike, është parë se Ankaraja i ka përkrahur të gjitha planet ndërkombëtare për paqë dhe stabilitet dhe ka qenë shumë vështirë për Turqinë t’i refuzojë apo kundërshtojë nismat amerikane. Turqia në mënyrë sistematike ka bërë që diplomacia e sajë të veprojë në bazë të principeve dhe rregullave të ligjit ndërkombëtar.Në vitin 1994,Turqia e përkrahu planin e NATO-s për ish- Jugosllavinë vetëm nga pikëpamja logjistike dhe refuzoi që të merrte pjesë në ndonjë sulm ushtarak të asaj kohe (Gangloff, 2005)

Pas vitit 2002 me ardhjen në pushtet të forcave politike që kishin për qëllim reformimin e sistemit politik turk, është parë një strategji tjetër se si të arrihet deri tek avancimi i interesave të Ankarasë në gadishull. Në këtë kontekst disa analistë thonë se AKP e Erdoganit dhe Gjylit mund ta çojë shoqërinë turke drejt radikalizimit dhe të marrë përmasa të habisë rajonale (Massiomo & Palin, 2010)

Por kur është çështja e politikës së jashtme turke të fillim shekullit të XXI, këtu vërehet një diplomaci  më aktive drejt Ballkanit, me zgjidhje të përcaktuara qartë.

Kështu me Serbinë dhe Maqedoninë ka një politikë të ngjajshme, ndërsa i ka futur në një bllok Shqipërinë, Kosovën dhe Bosnjën.

Ndarja në blloqe paraqet rrezik për vetë zonën, sepse edhe ashtu të ndarë që nga koha kur Osmanët ikën nga Ballkani, shtetet si Kosova, Maqedonia dhe Bosnja paraqesin një rrezik në vetëvete, me potencial për ndërrim kufijsh në të ardhmen, mundësisë së një integrimi të vonshëm në BE, vetëizolimit dhe vendosjes së tyre nën ombrrellën e fuqive të jashtme.

 

Gjeopolitika turke

 

Sigurisht që gjeopolitika turke nuk është duke u balancuar vetëm brenda vetes, por  është në natyrën e forcave që e udhëheqin këtë politikë të zgjerimit, të shtrihet dhe të influencojë nga Dardanelet e deri në Danub ose edhe më gjërë drejt Azisë.

Sidoqoftë faktorët e jashtëm dhe të brendshëm, duke përfshirë edhe ato gjeografik dhe historik janë duke e shtyrë këtë zgjerim turk drejt Ballkanit më shpejtë si kur më parë. Qëllimi i konceptit të “strategjisë së thellë” turke qëndron në vendosjen e Ankarasë nga një sistem periferik i influencës në epiqendër të sistemit ndërkombëtar (Waller, 2011)

Për disa shtete, ky depërtim do të ishte i mirëseardhur, ndërsa për disa të tjerë ku shoqëria është e ndarë në politikat fetare, ky zgjërim nga forcat kundërshtare lidhet më shumë me prishjen e stabilitetit të brendshëm. Politika e jashtme turke përbëhet nga katër faza, kurse ish ministri i jashtëm Davutolgu i veçonte ato në disa nënkategori që në të ardhmen do të luajnë një rol mjaft dinamik, pra nga një diplomaci rajonale në atë interkontinentale (Davutolgu, 2010)

 

 Amerika dhe Turqia në Ballkanin Perëndimor

 

Partneriteti afatgjatë amerikan në Ballkan pas vitit 1952 dhe 1991 ka qenë i bazuar tek mbështetja e pakufizuar që ka marrë nga Shqipëria dhe Turqia.Është zbehur me serbët dhe maqedonasit në periudha të ndryshme historike.

Ndërkohë marrëdhëniet në mes Amerikës dhe Turqisë pas intervenimit të Uashingtonit në Afganistan kanë kaluar nëpër disa faza dhe përpjekje për të kuptuar rolin e të dy palëve në botën e terrorizmit global (Barin, 2009)

Në këtë linjë me Serbinë gjatë dy viteve të fundit marrëdhëniet në mes Uashingtonit dhe Beogradit janë duke u zhvilluar më shpejt dhe janë të koncentruara në drejtim të normalizimit të raporteve të Beogradit me Prishtinën dhe mundësisë së integrimit të Serbisë në BE dhe NATO me një shtytje të vogël amerikane.

Greqia dhe Bullgaria i kanë shërbyer amerikanëve për të balancuar politikën euro-aziatike dhe Uashingtoni i ka përdorur shpeshherë kur është dashur t’i ndyshojë forcat në Ballkanin Perëndimor.

Nga kjo politikë e jashtme amerikane dhe turke si duket ka përfituar më shumë Maqedonia, ku qeveria duke përdorur kartën e identitetit dhe dominimit etnik ka arritur të krijojë një farë stabiliteti të brendshëm.

Ndonjëherë SHBA i kanë dhënë më shume rol Turqisë në Ballkan në çështjet e tregtisë dhe shitjes së armatimit turk në rajon dhe në disa raste e ka bërë Bullgarinë me aktive në cështjet strategjike.

Nga aspekti historik rivalitetet në mes qytet- shteteve dhe më vonë të kthyera në perandori të cilat përjetuan një zhvillim në kohën e sundimit ilir dhe romak, u mirëmbajtën mirë me pushtimin bizantian dhe osman, ndërsa më vonë po të njëjtat forca filluan të dominonin mbi pjesën tjetër të popullësisë që nuk arrinte të kundërshtonte Portën e Lartë rreth politikave që i aplikonte në atë kohë në rajon. Greqia, Serbia, Mal i Zi, Bullgaria dhe Rumania të gjithë u pavarësuan apo i hodhën hapat e parë të autonomisë kundër osmanëve, vetëm shqiptarët ngelën të ndarë në politikat ndaj Portës.

Nga historia e cikleve gjeopolitike gadishulli shekuj më parë u dominua nga forca të cilët i shtruan bazat e civilizimeve por, fuqitë rajonale filluan të ndryshonin përbërjen etnike dhe territoriale.

Sot mëse një shekull që kur filloi kriza ballkanike, rajoni nuk nuk duket aq i zhvilluar ekonomikisht.Ndoshta përshkak të ndryshimeve të forcave në politikën globale, mund që rajoni të kthehet në një fushëbetejë në mes Amerikës, BE-së, Rusisë, Kinës dhe Turqisë.

Propozimi për një G-6 në Ballkan dhe investimet e mëdha kineze në rajon e kanë bërë Turqinë më një kundërshtarë plus në skenën ballkanike.

Në këtë pikë gjatë dekadës që kemi hyrë, Ankaraja mund të bëhet edhe më aktive drejt Ballkanit duke u mbështetur në gjeopolitikën e vjetër të krijimit të aleancave të reja ballkanike.

Prandaj zgjerimi eknonomik do të kishtë efekte pozitive në Ballkanin e pazhvilluar vetëm atëherë kur të gjithë etnitë në Ballkan do të fitojnë më shumë siguri nga politika e jashtme turke dhe SHBA. 

 

Përfundim

 

Në fund gjykoj se bashkëpunimi dhe ndihma e Turqisë për popujt e Ballkanit duhet të fokusohet dhe bazohet në platformën amerikane dhe besoj se kjo është një bazë e mirë për t’i zvogluar kritikat dhe tendencat negative kundër Ankarasë. Por politika e jashtme e Ankarasë, ka shtuar zërat kundër presidentit Erdogan. Megjithatë zhvillimet e brendshme në politikën turke do të përcaktojnë shumë qartë këtë zgjerim të ri drejt Ballkanit dhe Lindjes së Afërt.

 

Referencat:

Albert, M. & Walter, J. (2009). Turqia në prag të dyerve europiane;debati gjerman dhe britanik rreth hyrjes së Turqisë  në BE. International Affairs; 28f.

 

Gangloff, S. (2005) Ndikimi i trashigimisë osmane në politkën e jashtme turke dhe në Ballkan (1991-1999). Ceri; 20 p.

 

Walker, J. (2011). Burimet e “strategjisë së madhe” turke.Shqyrtuar më 2 nëntor 2013 nga http://www.lse.ac.uk/IDEAS/publications/reports/pdf/SR007/

 

Davutolgu, A. (2010). Problemet zero me vendet fqinjë. Shqyrtuar më 2 nëntor 2013 nga http://ëëë.foreignpolicy.com/articles/2010/05/20/turkeys_zero problems.

 

Barin, K. (2009). Imperativat strategjike,retorika demokratike: SHBA dhe Turqia 1945-1952.History from Cold Ëar Era.9 (3) 25f.

 

Massimo, C. & Pelin, T. (2010). Kthim nga Lindja. International Affairs.176 (1), 4p.

 

Murat, B. (2009). Nacionalizmi  dhe demokracia në Turqi. Inter-culture Studies.30 (1), 14p.

 

Sayari, S. (2000). Politika e jashtme turke pas Luftës së Ftohtë: Vështirësitë rajonale. International Affairs; 54, (1), 169 f.

 

 

Kategoria : Monografi gjeopolitike

(Pjesa e parë)

2013-2017

CSSDMacedonia